Gara për kryeprokuro; Ja kriteret për kandidatët
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka çelur garën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, post që mbahet aktualisht nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
KLP ka miratuar rregulloren mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokurorë të Përgjithshëm me një mandat kushtetues 7-vjecar.
Sipas KLP, rregullorja parashikon 4 kriteret kryesore për vlerësimin e kandidatëve për prokuror të përgjithshëm mes të cilëve kriteri profesional, kriteri moral dhe i integritetit, vlerësimi organizativ dhe drejtues dhe elemente shtesë për vlerësim (përvojë në jetën akademike, tituj shkencorë).
Mësohet se për postin e kryeprokurorit kanë shprehur interes për të garuar disa prokurorë, madje dhe kryeprokurorja aktuale e përkohshme Arta Marku.
Mësohet se përveç kandidimit të Arta Markut, prokurorët e tjerë që pritet të garojnë për këtë post janë Olsian Çela, Adnan Xholi dhe Plarent Ndreca.
Gjithashtu SPAK ka miratuar kriteret dhe rregulloren për vlerësimin e kandidatëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK.
KLP ka theksuar se SPAK kërkon prokurorët më të aftë dhe rregullorja garanton 6 javë për shqyrtimin e dosjeve të kandidatëve. Brenda 2 javësh nga mbarimi i afatit të shqyrtimit të dosjeve do zhvillohet intervista me kandidatet të kualifikuar. Pas themelimit të SPAK, do të zgjidhet kreu i këtij institucioni.
Fraksion.com