Dy autorët i zunë pritë; Si u vra pranë banesës Jurgen Kurti
Detaje të reja zbulohen për vrasjen e 26-vjeçarit Jurgen Kurti mbrëmjen e djeshme në rrugën “Zef Jubani” pranë stadiumit ‘Selman Stërmasi’.
Menaxheri i VIP-ave është ekzekutuar pranë banesës së tij më breshëri plumbash, pasi në vendngjarje policia gjeti dhe sekuestroi 23 gëzhoja pistolete.
Dyshohet se dy persona ende të paidentifikuar i kanë bërë pritë pranë banesës së tij 26-vjeçarit dhe e kanë qëlluar nga një makinë ngjyrë gri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Deri më tani policia ka shoqëruar 10 persona për t’u marrë në pyetje, ndërsa pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes. Viktima kishte qenë dy herë i shoqëruar për akuzën e vrasjes, por me pas ishte shpallur i pafajshem.
Forcat e policisë kanë shoqëruar edhe familjarët e tregtarit të vrarë në Durrës pak kohë më parë Agim Arapi, vrasje për të cilën është akuzuar Jurgen Kurti. Gjithashtu ai ishte shoqëruar në komisariat edhe për vrasjen e babait të tij.
Policia vijon hetimet dhe po këqyr kamerat e sigurisë për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Vrasja e babait të Jurgen Kurtit
Historia në familjen e djalit që vishej me marka, u kthye në një serial mediatik që i ngjasonte një filmi, pasi kureshtja shtohej gjithmonë e më shumë për të mësuar se çfarë ndodhi në shtëpinë e tij natën e 4 prillit 2016.
Sipas Policisë, atë mbrëmje viktima Artur Kurti (babai) ka hyrë me thikë në dorë në banesë dhe është përleshur me djalin dhe kunatin, ku ka plagosur kunatin. Më pas, në rrethana të cilësuara si të paqarta, në përleshje e sipër, shtetasi Artur Kurti gjeti vdekjen si pasojë e plagëve me thikë.
Natyrisht që kjo ishte një tragjedi për jetën e Jurgenit, i cili në të gjitha daljet publike apo statuset që postonte në rrjetet sociale paraqitej si djalë që e dashuron jetën dhe e shijon atë në maksimum.
Vdekja e pronarit të marketit Durrës
Nga ekspertiza mjeko- ligjore u vërtetua se shtetasi Agim Arapi ka ndërruar jetë për shkak të problemeve që ka pasur me zemrën, ku nuk ka përballuar dot goditjet me grushta, të kryera nga autorët. Pavarësisht se në vendin e ngjarjes është gjetur një thikë dhe fillimisht u tha se Arapi ishte qëlluar me thikë dhe kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra, policia në njoftimin zyrtar deklaroi se 51-vjeçari ka vdekur për shkak të një ataku kardiak.
Ndërkohë policia e Durrësit shfajësoi Jurgen Kurtin, dhëndrin e një prej autorëve të dyshuar, pasi sipas policisë ai nuk ka marrë pjesë në rrahjen e viktimës.
Policia deklaron se Jurgen Kurti, u shoqërua në polici. Për sa i përket rolit të tij, policia thotë se viktima ia ka kërkuar paratë për tubin e aspirimit Jurgenit, por më pas kanë ndërhyrë dy vëllezërit Ekonomi, një prej tyre vjehrri i të riut dhe e kanë futur në market ku e kanë rrahur brutalisht sa ka humbur jetën për shkak të problemeve me zemrën.
“Gjatë kësaj kohe shtetasi Jurgen Kurti ka qenë jashtë dyqanit ushqimor (qepeni ishte i mbyllur dhe brenda ndodheshin viktima dhe autorët)”, deklaron zyrtarisht policia. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 11 prillit 2017, rreth orës 19:55 në lagjen Nr.1 Durrës, në dyqanin ushqimor, në pronësi të Agim Arapit.