AktualitetBota+Të fundit

Vrasja që tronditi Gjermaninë; Chemnitz: Kush e vrau Daniel H.?

Në verën e vitit të kaluar dy azilkërkues supozohet se kanë vrarë 35 vjeçarin Daniel H. Të hënën (18.03) fillon procesi kundër njërit prej autorëve të dyshuar. Çfarë ka ndodhur në vrasjen që tronditi Gjermaninë?

Çfarë ka ndodhur?

Më 26. Gusht 2018 u vra me thikë Daniel H. gjatë festimeve të festës së bashkisë së Chemnitzit në rrethana deri më tani të pasqaruara plotësisht. Daniel H u godit me thikë në zemër dhe mushkëri. Një person tjetër u plagos po ashtu. Për këtë vepër penale supozohet se janë përgjegjës një 22 vjeçar irakian, Farhad A dhe një 23 vjeçar sirian, Alaa S., azilkërkues. Farhad A konsiderohet si autori kryesor i krimit, por ai është në arrati.

Cilat janë rezultatet e deritanishme të hetimeve?

Sipas hetimeve, irakiani në arrati ka filluar të grindet në natën e 26 gushtit me viktimën. Sipas informacioneve të mediave, Farhad A duhet të ketë qenë nën ndikimin e drogës dhe së bashku me viktimën kanë konsumuar kokainë. Kur u ndez sherri mes Farhad A. dhe Daniel H., siriani Alaa S. i ka ardhur në ndihmë irakianit. Të dy „pa arsye të justifikueshme” kanë qëlluar disa herë me thikë mbi 35 vjeçarin, thuhet në aktakuzë.

I akuzuar është vetëm Alaa S.. Prokuroria e akuzon atë „për vrasje të përbashkët në gjaknxehtësi në përpjekje të përbashkët të vrasjes me qëllim dhe lëndim të rrezikshëm trupor.” Akuza bazohet në të dhënat e dëshmitarëve. Pas vrasjes në afërsi të vendngjarjes u gjet një thikë me gjurmë gjaku të viktimës, Daniel H. Alaa S. rëndohet nga të dhënat e një dëshimtari, që e ka parë të kryejë lëvizje që presupozojnë goditje. Megjithatë dëshmitari ka thënë, se nuk ka parë thikë. Alaa S. thekson pafajësinë e tij, sipas tij ai nuk ka qenë kaq pranë vendit të ngjarjes.

Çfarë ndodhi në ditët pas vrasjes?

Vrasja e Daniel H. tronditi Chemnitzin. Disa grupe, mes tyre edhe shoqata „Pro Chemnitz” bënë thirrje në Facebook për demonstrata. Në këtë demonstratë qytetarët ecën krah për krah me radikalë të djathtë. Një numër personash treguan madje përshëndetjen hitleriane, në të paktën 10 raste, policia ka nisur një procedurë hetimore. Të paktën 18 demonstrues nga të dyja kampet dhe dy policë u lënduan gjatë demonstratave. Sipas policisë u lënduan rrugës për në shtëpi edhe katër persona të tjerë, pasi 15-20 vetë u lëshuan kundër tyre. Dy prej tyre u dërguan në spital.

Nga ana tjetër në Chemnitz u zhvilluan edhe kundërdemonstrata dhe koncerte të hapura kundër urrejtjes ndaj të huajve. Dhjetëra mijëra vetë kërkuan të tregonin, se nuk lejojnë instrumentalizimin politik të vrasjes së Daniel H.

A pati në Chemnitz “gjueti urrejtjeje” kundër të huajve?

Kancelarja Merkel deklaroi pas ngjarjeve: “Kemi regjistrime në video, se ka pasur gjueti të nxitur nga urrejtja, se ka pasur grumbullime, urrejtje në rrugë, dhe kjo nuk ka të bëjë më shtetin tonë të së drejtës.” Sipas Merkel „nuk duhet të ketë në asnjë vend dhe në asnjë rrugë trazira të tilla.”

Kësaj deklarate të Merkelit iu kundërvu kryeministri i landit sakson, Michael Kretschmer: „Nuk ka pasur turmë, nuk ka pasur gjueti të nxitur nga urrejtja, dhe pogroma”, tha Kretschmer. Ai iu kundërpërgjigj njoftimeve në media, ku thuhej se grupime ekstremiste të djathta kishin përndjekur me urrejtje njerëz me sfond migracioni. Ai tha po ashtu se shteti nuk lejon t’ia marrin nga dora monopolin e pushtetit. Kritika Kretschmer drejtoi edhe kundër „instrumentalizimit politik nga ana e ekstremistëve të djathtë”.

Gjendja u ashpërsua më tej, kur presidenti i autoritetit të Mbrojtjes Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen deklaroi për gazetën „Bild”, lidhur me pamjet e videove në internet, se ka arsye të mjaftueshme për të menduar, se për gjuetinë me urrejtje bëhet fjalë për informacione të pasakta, „me gjasë për ta devijuar opinionin nga vrasja në Chemnitz”. Të Gjelbrit dhe E Majta kërkuan dorëheqjen e Maaßenit. Kësaj iu shtuan informacionet e emisionit të ARD-së, “Kontraste”, ku Maaßen grupit parlamentar të partisë populiste, AfD i kishte dhënë pjesë të raportit të Mbrojtjes Kushtetuese disa javë para publikimit të tij. Pas kritikave të vazhdueshme, Maaßen u pezullua nga detyra nga ministri i Punëve të Brendshme, Horst Seehofer.

A ka Saksonia një problem me ekstremizmin e djathtë?

Politikanë të të gjitha partive i tremben përhapjes së ekstremizmit të djathtë në Saksoni. Prej vitesh ekstremistëts e djathtë dhe ata që urrejnë të huajt dëmtojnë imazhin e landit të Saksonisë dhe 4 milionë banorëve të tij. NSU, grupimi terrorist i djathtë veproi pa u zbuluar deri në vitin 2011 në Saksoni. Në Dresden nga viti 2014, rregullisht në demonstrata anëtarë të grupit Pegida, „Europianë patriotë kundër islamizimit të Perëndimit”. Në vitin 2015 turma djathtiste zhvilluan në Heidenau përleshje me policinë, për të penguar ngritjen e një qendre refugjatësh në një ish-magazinë ndërtimi. Në pranverën e vitit 2016 njerëz të zemëruar penguan në Clausnitz një autobus me refugjatë, pak javë më vonë spektatorë të entuziazmuar në Bautzen penguan shuarjen e zjarrit në një qendër refugjatësh që i ishte vënë zjarri. Në Freital një grupim i vetëquajtur „mbrojtja qytetare” u vuri zjarrin disa strehimoreve të azilit, atentate të tjera ishin planifikuar. Sipas të dhënave të Mbrojtjes Kushtetuese, në vitin 2017 në Saksoni ka pasur 1959 vepra penale me sfond ekstremist, 160, mes tyre edhe gjashtë akte dhune ndodhën në Chemnitz./DW

 

Fraksion.com