SPAK, monitorim nga BE dhe SHBA gjatë përzgjedhjes së prokurorëve
Top Channel siguroi draftin, në bazë të të cilit anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë mendojnë të pikëzojnë dhe vlerësojnë 27 kandidatët për Prokurorinë kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, thënë ndryshë SPAK.
Në projektrregullore përmendet gjithashtu teknika e posaçme e hetimit, veçanërisht për hetimin e rasteve të korrupsionit në Shqipëri, si dhe vendimet e dhëna për rastet për kontroll banese, sigurim të provave përmes letërporosive jashtë Shqipërisë, apo përdorimi i provave mjekoligjore të ADN-së. Mënyra sesi prokurorët kanë marrë bashkëpunëtorë drejtësie apo kanë kryer përgjime elektronike gjatë hetimit të krimit të organizuar.
Një vend të veçantë zë hetimi për “çështjet e ndërlikuara”, kështu i quan Këshilli i Lartë i Prokurorisë ato dosje, ku subjekt i hetimit janë funksionarët e lartë publikë, veprimet e të cilëve kanë sjellë pasoja të rënda për pasurinë, jetën dhe shëndetin e shtetasve, apo sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të tyre.
Secilit kandidat do t’i shqyrtohen 5 dosje, thuhet në projektrregullore. Por përpara se të vlerësojë këto dosje hetimore, Këshilli do të konsiderojë nëse i përmbushin 27 garuesit për në SPAK kushtet minimale, e nëse konstatohet diçka e tillë do të shpallet skualifikimi i tyre, sikurse mund të ndodhë me dy prek kandidatëve që nuk vijnë nga radhët e prokurorëve.
Pas këtij momenti, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të shpallë listën zyrtare të kandidatëve dhe do t’i kalojë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit emrat e prokurorëve që nuk i janë nënshtruar ende vettingut, për t’i shqyrtuar me prioritet. Më tej në projektrregullore thuhet se, nis vlerësimi i garuesve, ku mes të tjerash parashikohet edhe intervista me ta ballë për ballë, që do të zgjasë 10 minuta. E në rast se gjatë vlerësimit do të ketë pikë të barabarta, atëherë do të fitojë prokurori që ka më tepër vjetërsi në detyrë.
Si kritere vlerësuese do të mbahen parasysh kualifikimi i lartë i prokurorëve, aftësia e tyre për mbrojtjen e akuzës në gjykatë, integriteti, por edhe një raport që do t’i kërkohet Agjencisë së Pasurive të Konfiskuara, e cila duhet t’i referojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë histori suksesi të këtyre prokurorëve që garojnë për në SPAK.
Fraksion.com