Protesta në Beograd kundër presidentit të Serbisë
Mijëra veta në Beograd u hodhën në protesta në mesditën e së dielës para ndërtesës së presidencës së Serbisë në kohën kur presidenti serb Aleksandër Vuçiç, po i drejtohej vendit pas protestave të së shtunës. kur grupe qytetarësh hynë në ndërtesën e televizionit shtetëror në shenje pakënaqësie me qasjen e njëanshme të tij.
Presidenti serb tha se “nuk do të lejohet askush të kërcënojë Serbinë me dhunë”, ndërsa i cilësoi si “fashistë” disa nga drejtuesit e opozitës serbe.
Forca të mëdha të policisë rrethuan për disa orë me radhë ndërtesën e presidencës serbe, ndërsa protestuesit kërkuan dorëheqjen e presidentit serb, i cili u largua nga zyrat e tij pasi që protestuesit u larguan nga sheshi para presidencës.
Të shtunën policia ndërhyri në ndërtesën e televizionit shtetëror serb dhe nxori prej andej grupet e protestuesve përfshirë edhe disa udhëheqës opozitar, të cilët kërkonin që t’u jepej hapësirë në emisionet qendrore të lajmeve.
Drejtuesit e opozitës thanë se policia përdori dhunë ndaj protestuesve paqësorë.
Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç, paralajmëroi përndjekjen e atyre që hynë në ndërtesë, ndërsa ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i tha televizionit pro qeveritar Pink se protestuesit janë ‘fashistë” dhe duhet të dënohen me ashpërsi.
Ky ishte incidenti më i rëndë pas disa muajsh protesta kundër presidentit serb, Protestuesit po kërkojnë dorëheqjen tij, zgjedhje dhe medie të lira dhe më shumë demokraci.
Kritikët e akuzojnë presidentin Vuçiç për vendosje të autokracisë nëpërmjet kontrollimit të rreptë të medies dhe nxitjes së gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza.
Protestuesit kërkuan liri të medies si parakusht për zgjedhje të lira e të drejta.
Protestat me sloganin “Një nga pesë milionë”, filluan në nëntor të vitit të kaluar me moton “stop këmishëve të përgjakura”, kur ndodhi një sulm mbi Borislav Strefanoviçin, udhëheqës i partisë së vogël E Majta serbe.
Ai ishte sulmuar nga një grup burrash me maska të zeza më 23 nëntor në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë dhe kishte pësuar plagë të lehta.
Në muajin dhjetor, presidenti serb tha se nuk do të përmbushë kërkesat e opozitës edhe nëse “dalin 5 milionë në rrugë”, por më pas ai tha se është i gatshëm të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Partitë opozitare thanë se do të bojkotonin zgjedhjet e tilla.
Ish nacionalisti i skajshëm, Aleksandër Vuçiç, thotë se synon të anëtarësoj Serbinë në Bashkimin Evropian.
Fraksion.com