Eksportet, në rënie; 24 mln euro më pak sesa një vit më parë
Eksportet shqiptare u ulën për të dytin muaj rresht në shkurt, duke sinjalizuar se ky mund të jetë një vit i vështirë për kompanitë që punojnë me tregjet e huaja.
Instituti i Statistikave raportoi se, muajin e kaluar, Shqipëria eksportoi 23 miliardë lekë mallra në tregjet ndërkombëtare, ose 5.4 për qind më pak sesa shkurti i vitit të kaluar.
Duke përfshirë edhe janarin, në total si dymujor eksportet për këtë vit janë ulur me 6.3 për qind, ose 3 miliardë lekë, krahasuar me dymujorin e parë të vitit 2018.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se, pjesa dërrmuese e rënies së eksporteve ka ardhur kryesisht nga dy grupe: ai i energjetikës, si dhe eksportet e materialeve të ndërtimit. Por edhe industria e fasonit, e cila vitet e fundit është zgjeruar ndjeshëm në tregjet globale, këtë vit rezulton në stanjacion.
Sipas INSTAT, në dy muajt e parë të vitit, eksportet e fasonit ranë me mbi 400 milionë lekë, ose 2 për qind, në një kohë që vitet e fundit ato janë rritur me ritme dyshifrore.
Vitin e kaluar, Shqipëria eksportoi sasira të mëdha të energjisë si pasojë e situatës së mirë hidrike. Por këtë vit, kjo situatë është përmbysur për shkak të thatësirës dhe në vend të eksportit, Shqipëria është duke blerë masivisht energji nga jashtë.
Megjithatë, efekti energjetik është shkaktar vetëm pjesërisht në rënien e eksporteve, ndërkohë që pjesa tjetër, pra rënia e eksporteve të materialeve të ndërtimit dhe fasoneve mund të jetë efekt i drejtpërdrejtë i ngadalësimit të ekonomisë europiane.
Fraksion.com