AktualitetPolitikëTë fundit

Sondazhi: Kryemadhi më pak e besueshmja; Ja si renditen Rama, Basha e Berisha

Përpos nivelit të besueshmërisë së shqiptarëve tek krerët e politikës shqiptare, në rang kombëtar, perceptimit të situatës politike në vend dhe pritshmërive për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, sondazhi i institutit italian “GPF Inspiring Research”, i sjellë për publikun nga Report Tv, ka prodhuar rezultate edhe mbi popullaritetin e krerëve të politikës shqiptare në 12 qytetet kryesore në vend. Po përveç rezultateve mesatare në rang kombëtar, cili është niveli i besueshmërisë i 5 liderëve politikë në nivel vendor?

Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, i cili sipas sondazhit është politikani më i besuar në Shqipëri, me një diferencë të theksuar me Sali Berishën, Lulzim Bashën, Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, ka popullaritet më të lartë në Elbasan dhe më të ulët në Berat. Konkretisht, të pyetur se cila figurë politike ju duket me e sinqertë në deklaratat e veta publike, 75.5% të qytetarëve të pyetur në Elbasan kanë zgjedhur kryeministrin Edi Rama. Ndërsa në Berat, Ramës i besojnë 37.5% të të pyeturve. Pas Elbasanit, vjen Gjirokastra, ku 68.9% të qytetarëve i besojnë Ramës, i ndjekur nga Tirana me 68.4%, Vlora me 64.5%, Shkodra me 64.3%, Korça me 63.3%, Lezha me 58.2%, Durrësi me 49.3%, Fieri me 45.1 % dhe Dibra me 40.5%. Por nëse kryeministri Edi Rama ka besueshmërinë më të ulët në Berat me 37.5%, niveli më i lartë i besueshmërisë për kryetarin e opozitës, Lulzim Basha, është në Vlorë me 26.2%.

Berisha dhe Basha

Ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe sipas qyteteve, ish-kryeministri Sali Berisha vijon të ketë popullaritet më të madh se sa pasardhësit i tij politik në krye të PD, Lulzim Basha. Edhe pse Basha drejton prej pesë vitesh partinë kryesore në opozitë, shqiptarët, të cilët në rastin konkret mund të identifikohen me demokratët, vijojnë t’i besojnë më shumë Sali Berishës. Ky i fundit, sipas sondazhit, popullaritetin më të madh e gëzon në Kukës me 51.7%, ndërsa më pak popullaritet ka në Gjirokastër me vetëm 4.8% dhe në Vlorë me 8.9%. Ndërkaq, pas Kukësit, Berisha ka popullaritet më të madh në Fier me 30.6% dhe në Berat me 25%. Nga ana tjetër, kryetari i PD, Lulzim Basha, sipas sondazhit, ka popullaritetin më të madh në Vlorë me 26.2%, ndërsa më pak i besojnë në Korçë me vetëm 3.4%. Në Tiranë besueshmëria për Bashës është 12.4%, në Shkodër 3.6%, në Lezhë 16.1%, në Kukës 6.5%, në Gjirokastër 18.3%, në Fier 10.8.%, në Elbasan 6.7%, në Durrës 6.3%, në Dibër 18.6% dhe në Berat 5.1%. Nga 12 qytetet, Basha dominon mbi Berishën vetëm në Vlorë, Gjirokastër dhe Dibër. Në total, popullariteti i Berishës është 20.8%, ndërsa i Lulzim Bashës është 9.8%.

Meta dhe Kryemadhi

Edhe në kampin e LSI, Ilir Meta rezulton me më shumë popullaritet se sa Monika Kryemadhi. Sipas sondazhit të sjellë nga Report Tv, në bashkëpunim me institutin Italian “GPF Inspiring Research”, presidenti Ilir Meta është më i besueshëm në Berat me 32% dhe më pas i besueshëm në Lezhë dhe Elbasanin me vetëm 0.1%. Në Vlorë, Metës i besojnë vetëm 0.3% të të pyeturve, në Tiranë 0.4%, në Shkodër, 10.9%, në Kukës 0.2%, në Korçë 14.2%, në Gjirokastër 4%, në Fier 12%, në Durrës 11.7% dhe në Dibër 18.6%. Ndërkaq, kryetares së LSI, Monika Kryemadhit, në Tiranë, Kukës dhe Shkodër i besojnë vetëm 0.1% të të pyeturve. Në Vlorë, në Lezhë dhe në Berat i besojnë vetëm 0.2% të të pyeturve. Në Fier besueshmëria e kryetares së LSI është 0.8.%, në Elbasan 1.1% dhe në Gjirokastër 4 %. Zonja Kryemadhi ka popullaritetin më të madh në Dibër me 12.5%, më pas në Durrës me 10% dhe Korçë me 7%. Në total tek zonjës Kryemadhi i besojnë 2.7% të shqiptarëve, ndërsa ish-kryetarit të LSI, Ilir Meta, sot President, i besojnë 8.9%.

 

Fraksion.com