AktualitetEkonomiTë fundit

Sistemi bankar mbetet me 13 banka, si po ndryshon tregu pas shit-blerjeve

Sistemi bankar po shënon zhvillime të rëndësishme, si në drejtim të përthithjeve ashtu dhe të ndryshimeve të pronësisë.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë nëmbledhjen e saj të fundit ka miratuar transaksionet për shitjen e dy bankave të tjera. Sipas njoftimit zyrtar u miratua paraprakisht zotërimi i 88.89% të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksionar të bankës me kapital francez Societe Generale Albania sh.a. nga OTP Bank Nyrt, e cila është një bankë hungareze. Pjesa tjetër e aksioneve vijon tëzotërohet nga një grup aksionerësh shqiptarë, por edhe ata kanë rënëparimisht dakord për të shitur zotërimet e tyre tek hungarezët e OTP-së.

Po në të njëjtën mbledhje u miratua paraprakisht zotërimi i 100% të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksionar të Bankës Ndërkombëtare Tregtare (me kapital malezian) sh.a. nga Banka Union sh.a, një bankëme kapital shqiptar.

Në fillim të muajit shkurt, Banka e Shqipërisë miratoi paraprakisht zotërimin e 88.95% të aksioneve me të drejtë vote të kapitalit aksionar të Bankës Tirana sh.a. nga Balfin sh.p.k. dhe 9.88% nga Komercijalna Banka AD Skopje.

Blerja e Bankës Ndërkombëtare Tregtare (ICB) nga Union Bank i shtohet dy transaksioneve të tjera që kanërezultuar me përthithje 100% të kapitalit, asaj të Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) nga ABI Bank dhe Veneto Bank nga IntesaSanpaolo, Të dy transaksionet e fundit kanë përfunduar dhe Banka Kombëtare e Greqisë dhe Veneto janë çregjistruar tashmë.

Në këtë mënyrë, numri i bankave në sistemin bankar është ulur nga 16 në 13.

Deri në vitin 2006, kur u hap dhe banka e fundit e re (Union Bank), sistemi bankar kishte 17 banka. Në vitin 2008, italianët e Intesa Sanpaolo blenë Bankën Italo-Shqiptare dhe Bankën Amerikane të Shqipërisë, duke e reduktuar numrin e bankave në 16. Që prej asaj kohe nuk ka pasur më ndryshime, teksa interesi i bankave të huaja për sistemin shqiptar ra pas krizës financiale globale që nisi në 2008-n.

Z. Seyhan Pencapligil, drejtor i Bankës Kombëtare Tregtare, më të madhes në vend, ka pohuar më herët për Monitor se beson se në një ekonomi si Shqipëria, është ideale të ketë rreth 10 banka. “Disa banka ndërkombëtare hynë në tregun shqiptar si pjesë e strategjisë së tyre në atë kohë. Tashmë, sërish, si pjesë e strategjisë së tyre aktuale, ato kanë vendosur që të largohen. Disa prej tyre nuk po realizonin fitime që prej një kohe të gjatë”, pohoi ai.

Deri në fund të tremujorit të tretë 2018 (të dhënat e fundit të publikuara nga Shoqata e Bankave), BKT, me kapital turk ishte më e madhja në vend, me 27.4% të totalit të aktiveve.

Në vend të dytë është Raiffeisen, me 15.9% të totalit, një bankë me kapital austriak.

Banka shqiptare Credins, kishte 13.6% të totalit të aktiveve në fund të tremujorit të tretë.

Përthithja e Veneto nga IntesaSanpaolo i shtoi kësaj të fundit dhe 1% të peshës së tregut, sipas aktiveve, duke e çuar në 12.7%.

Francezët e Societe Generale po u lënë hungarezëve një pjesë tregu prej 6.2%.

Pas blerjes së NBG, Abi Bank është ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në vend, me 5.61% të totalit.

Në vend të shtatë është Alpha Bank, e vetmja e mbetur me kapital grek, me 5.6% të totait të aktiveve.

Grupi Balfin, që ka blerë shumicën e grekes Tirana Bank është e teta, me 4.82% të aktiveve.

Union Bank, pas blerjes së ICB e ka rritur pjesën e tregut me 0.64 pikë përqindje, në 4.19%.

Bankat e tjera zotërojnë më pak se 2% të totalit të aktiveve (shih grafikun)./Monitor

 

 

Fraksion.com