Poloni, “Fortesa Trump” një hap më afër realizimit
Një bazë ushtarake e përhershme amerikane në Poloni me nofkën “Fortesa Trump”, është një hap më afër për t’u bërë realitet.
Kathryn Wheelbarger, ushtruese detyre e ndihmës sekretares së Mbrojtjes për çështjet e sigurisë ndërkombëtare, u tha ligjvënësve në Komisionin për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së përfaqësuesve të mërkurën, se negociatat për ngritjen e saj “janë duke u zhvilluar gjatë kësaj jave”.
Komentet u bënë ndërkohë që John Rood, zëvendës sekretar i Mbrojtjes u takua me homologun polak për të diskutuar hollësitë e asaj që zoti Rood e quaji “ofertë bujare” nga Polonia.
Varshava ka ofruar të paktën dy miliardë dollarë për vendosjen e pranisë së përhershme të forcave amerikane në Poloni, në një përpjekje për të penguar çfarëdo agresioni të mundshëm rus.
NATO-ja ka zgjeruar praninë e saj në afërsi të kufijve të Rusisë për të siguruar fqinjët e saj lindor, një grumbullim që Rusia e ka përshkruar si kërcënim për sigurinë e saj.
“Ne kemi arritur, mendojmë, një ofertë shumë serioze e të fuqishme dhe ne jemi duke punuar disa nga teknikalitetet këtë javë,” tha Kathryn Wheelbarger.
Ajo tha se do të duhen gjashtë muaj deri në një vit për përfundimin e marrëveshjes për bazën.
Ushtria amerikane nuk do të duhet të fillojë mbledhje buxheti për bazën për të paktën dy apo tre vjet, sipas gjeneralit të Ushtrisë, Curtis Mike Scaparrotti, shefi i Komandës së trupave amerikane në Evropë.
Negociatat për bazën e propozuar në Poloni, po ndodhin në kohën kur është raportuat se administrata e presidentit Donald Trump, po shqyrton një plan sipas të cilit, kombeve të pasura si Gjermania, Japonia dhe Koreja e Jugut, do t’u kërkohet të paguajnë çmimin e pranisë ushtarake amerikane në territoret e tyre dhe plus 50 për qind më shumë, për privilegjin e mbrojtjes amerikane.
Kathryn Wheelbarger mohoi që ideja “kosto plus 50” po diskutohej për aleatët evropianë./VOA
Fraksion.com