AktualitetOp-EdTë fundit

Po humbim mundësinë e një brezi

Nga Ditmir Bushati

 

Politika shqiptare sërish është në një rrethrrotullim. Opozita ka ndërmarrë një veprim in extremis, siç është djegia e mandateve parlamentare. Një veprim i dëmshëm dhe me pasoja që kërkon të “militarizojë” mendjen dhe artikulimin publik. Bojkoti e ka shoqëruar, për fat të keq, jetën parlamentare gjatë gjithë trajektores së demokratizimit të vendit që prej shembjes së regjimit komunist, duke mos shënuar nga ana tjetër suksese të prekshme në arritjen e objektivit politik. Por kësaj radhe ne përballemi me një situatë të paprecedentë, pasi djegia e mandateve është një rrugë pa kthim, çka e bën rrjedhimisht më të vështirë parashikimin për daljen nga rrethrrotullimi.

E megjithatë, nuk do shumë mend për të kuptuar që takimi i pritshëm në qershor i Bashkimit Europian, ku do të shqyrtohet edhe mundësia e fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, do të ndikohet nga kjo situatë. Është e vërtetë që BE-ja po përballet me sfida të panumërta brenda shtëpisë dhe vëmendja ndaj oborrit të vet nuk është e madhe. Ky realitet duhet të na bëjë edhe më të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për rrugëtimin tonë, pasi në BE askush nuk ka “oreks” të ulet në bisedime e të projektojë procesin e anëtarësimit me një vend, klasës politike të së cilit i mungon baza e kulturës politike, dialogu. Elementë këta, të trupëzuar edhe në të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit, që një vend aspirant për anëtarësim në BE duhet të përmbushë.

Pikërisht, rëndësia e përmbushjes së këtyre kritereve, jo vetëm gjatë procesit të anëtarësimit, e ka bërë BE-në që të zhvillojë mekanizma mbikëqyrës edhe për vetë vendet anëtare, në lidhje me sundimin e së drejtës.

Nuk e di pse është kaq e vështirë për të kuptuar se rreziku që i kanoset Shqipërisë nga mungesa e qartë e perspektivës europiane, është më i madh për ne sesa për BEnë. E them këtë, pasi BE-ja ka jetuar për një kohë të gjatë pa Shqipërinë dhe shqiptarët. Mund të jetojë fare mirë edhe dekada të tjera pa ne. Dikujt mund t’i duket i ekzagjeruar ky konstatim, por përveç integrimit europian nuk shoh asnjë mundësi tjetër që Shqipëria të zhvillohet e demokratizohet më tej. Është një rrugë e vështirë, që kërkon reforma shtetkonsoliduese dhe mirëkuptim politik. Një gjë të tillë na e dëshmon edhe eksperienca e vendeve të Europës Qendrore e Lindore, vende të cilat kanë pasur një traditë demokratike më të pasur se vendi ynë.

Për të ilustruar këtë rrezik ia vlen të kujtojmë se Shqipërisë së mesviteve ’90 iu ofrua mundësia për të nënshkruar një marrëveshje europiane me BE-në. Mirëpo, për shkak të krizës politike dhe kaosit që përjetuam në ‘97, u deshën rreth 10 vjet dhe vetëm në vitin 2006 nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila gjithsesi nuk parashikon të njëjtën shkallë integrimi siç parashikonin marrëveshjet europiane. Nuk humbëm një stacion, as një dekadë, por mundësinë e një brezi të tërë, i cili do të ishte përfituesi kryesor i Shqipërisë Europiane. Sot mund të ishim fare mirë në një tryezë me Bullgarinë, Rumaninë apo me Kroacinë, e cila deri në 1995 ishte e përfshirë nga flakët e luftës. Mund të ishim përfitues dhe kontribuues më të mëdhenj e me më shumë plagë të kuruara nga tranzicioni.

Ndoshta gjëja më e thjeshtë që mund të bëjmë sot është të hedhim sytë nga fqinjët, të reflektojmë për një çast e ta ngulisim një herë e mirë në mëndje se, nëse nuk jemi në gjendje të krijojmë një perspektive të prekshme europiane e të gjenerojmë kapacitet për ndryshim duke dalë nga rrethrrotullimi, askush nga institucionet europiane nuk do ta bëjë një gjë të tillë për ne. E as nuk do të impresionohet nëse ne do t’u bishtnojmë përgjegjësive tona, duke mbetur peng të instinkteve të vjetra. Duke humbur kësisoj sërish mundësinë e një brezi, i cili nuk do të ketë zgjedhje tjetër veçse të na ndëshkojë.

 

Fraksion.com