Haradinaj: Prokuroria po kërkon trazira
Prokurori special Enver Krasniqi ka paraqitur kërkesën e tij që të pezullohet pagesa e pensioneve për 19 mijë veteranët deri në përfundim të procesit gjyqësor. Arsyetimi i tij ka qenë se si rezultati i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet, shkruan Gazeta “Zëri”.
Nasim Haradinaj, nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), e ka akuzuar Prokurorinë Speciale të Kosovës për nxitje të trazirave në vend.
Ai për “Zërin” ka deklaruar që kjo çështje është lojë politike dhe nxitje e mashtrimit për buxhetin.
“Nuk munden ata të na dënojnë kolektivisht. Ata thjesht janë duke dëshiruar trazira. Ne nuk jemi të interesuar për këto, por ata thërrasin për shkatërrimin e këtij vendi dhe kanë atë qëllim. Thjesht, po them se nuk ka më dënime kolektive, madje edhe të akuzuarit nëse kanë të drejtë deri të shpallen fajtorë nuk mund të quhen fajtorë. Unë mendoj se është lojë politike, nxitje e mashtrimit të buxhetit dhe për t’i rregulluar ata punët e veta. Të gjithë kanë qëllim trazira në këtë pushtet dhe në këtë kohë kur Kosova ka nevojë më së shumti për qetësi. Për mua është vendim arbitrar, jojuridik dhe antikushtetues”, ka thënë Haradinaj.
Duke iu përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për ndaljen e pagesave Haradinaj ka thënë se janë të gatshëm që t’i mbrojnë veteranët.
“Prokuroria po dëshiron të bëjë thirrje për trazira dhe në këtë kohë ne jemi të gatshëm jo për t’i mbrojtur mashtruesit, por t’i mbrojtur veteranët. Ata e dinë se si i kanë ngatërruar emrat dhe i kanë futur njerëzit që janë edhe meritorë, por që janë edhe jomeritorë”, ka pohuar ai.
Kështu ai ka ftuar Prokurorinë të merret me raste individuale e jo kolektive.
“Prokuroria le të merret me raste individuale ose le t’i marrë ata të Komisionit që i kanë marrë këto vendime dhe të merret me ta le t’ua ndalë atyre pagesat. Kjo nuk është as pagesë, por lëmoshë sepse as për barna nuk u dalin veteranëve”, ka thënë për fund Haradinaj.
Fraksion.com