Guaido thotë se Rusia dhe Kina nuk mbështesin Maduron
Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë u tha mbështetësve të tij të enjten në kryeqytetin Karakas se Rusia dhe Kina nuk po e mbështesin Presidentin Nicolas Maduro. Presidenti i përkohëshëm i vetshpallur Juan Guaido tha se ato dy vende thjeshtë po ndjekin interesat e tyre të biznesit në Venezuelë.
Edhe pse shumica e vendeve perëndimore, përfshi Shtetet e Bashkuara, e kanë njohur zotin Guaido si president legjitim të Venezuelës, Rusia dhe Kina kanë shprehur mbështetje për Maduron.
“Ata janë të izoluar dhe nuk mund të zgjidhin problemet që kanë krijuar. Ata nuk kanë asnjë aleat ndërkombëtar. Nuk është e vërtetë se Rusia dhe Kina i mbështesin, është gënjeshtër e madhe. Askush nuk i mbështetë. Rusia dhe Kina janë shumë të qarta se ku qëndron interesi i tyre dhe është i vlefshëm, e kuptoj shumë mirë. Ajo që ata duhet të kuptojnë, sikurse bëjnë të gjitha vendet, se e vetma gjë që mbron qytetarët është zbatimi i ligjit”, tha presidenti i përkohëshëm i vetshpallur Juan Guaido.
Pretendimi i zotit Guaido mund të mbështetet nga Venezuela e pasur me naftë e cila merr miliarda nga Kina si rezultat i marrëveshjeve të shkëmbimit naftë për kredi si dhe nënshkrimit nga Rusia të marrëveshjeve të përbashkëta miliarda dollarëshe për prodhimin e naftës.
Por nga ana tjetër Maduro po refuzon të heqë dorë nga pushteti pavarësisht mungesës së ushqimeve, ujit dhe energjisë elektrike. Ai ka thënë se është viktimë e një grusht shteti nga Shtetet e Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara shtuan presionin ndaj Venezuelës në fillim të muajit duke u vënë sanksione gjashtë zyrtarëve të lartë të sigurisë si dhe heqjen e vizave për dhjetëra zyrtarë të tjerë, përveç sanksioneve të mëparshme.
Fraksion.com