Rama: 1 milion euro për fermën e parë didaktike tek Bujqësori
Kryeministri Edi Rama i pranishëm sot në një takim me drejtues dhe studentë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, ka prezantuar projektin për ndërtimin e fermës së parë didaktike.
“Fondi prej 1 milion euro për ndërtimin e fermës së parë didaktike në Universitetin Bujqësor të Tiranës do të aktivizojë një potencial të jashtëzakonshëm e të pashfrytëzuar në funksion të ekonomisë rurale dhe zhvillimit të bujqësisë në vend”.
Deklaroi Kryeministri Edi Rama nga ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili ka përfituar 1 milion euro nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për fermën e parë didaktike.
Partneriteti qeveri-universitete në kuadrin e angazhimeve të Paktit për Universitetin, sipas Ramës, do të transformojnë rrënjësisht marrëdhëniet e universiteteve me shoqërinë dhe tregun.
“Sot bëjmë realitet plotësimin e nevojës shumë të vjetër për ndërtimin e fermës didaktike. Qeveria, në mbledhjen e saj të fundit, me kërkesë të Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, akordoi një fond prej 1 milion euro në dispozicion të universitetit, që ky i fundit të fillojë këtë ndërmarrje me interes shumëplanësh dhe të krijojë kompaninë e vetë, e cila të bëjë të mundur një ndërlidhje optimale mes punës shkencore dhe tregut”, tha Rama.
Duke nënvizuar rëndësinë që kjo qeveri i jep Universitetit Bujqësor, Rama tha se kjo është e 6-ta herë që viziton ambientet e këtij universiteti, ndërsa shprehu bindjen se “në 25 vitet e mëparshme të gjithë paraardhësit e mi të marrë së bashku nuk kanë ardhur as sa gjysma ime në 3 vjet”.
Kryeministri shprehu besimin se “këtu kemi një potencial të jashtëzakonshëm të pashfrytëzuar dhe kemi domosdoshmërinë ta vëmë këtë potencial jo vetëm në funksion të studentëve por edhe të ekonomisë rurale dhe zhvillimit të bujqësisë në vend .
“Në të shkuarën ky Universitet ka qenë një qendër ekselence që kishte edhe reputacion ndërkombëtar për nivelin e lartë shkencor. Sot është në fazën e një rilindjeje të vështirë, sepse vjen nga një periudhë e gjatë traumatike kur edhe bibliotekës iu vu zjarri, pa llogaritur gjithë territoret apo asetet që iu pushtuan apo grabitën duke e bërë me shumë kosto procesin e rilindjes së universitetit”, tha Rama.
Kostot, sipas tij, “kanë të bëjnë me nevojën për të paguar fonde të konsiderueshme për të marrë mbrapsht pronat e humbura padrejtësisht në procese zaptimesh, legalizimesh apo kompensimesh krejtësisht të padrejta dhe abuzive”.
“U desh të kalonin thuajse 3 dekada për të filluar çlirimin e Universitetit në pikëpamjen territoriale”, tha Rama.
Fraksion.com