Thaçi dhe Haradinaj: Kosova është mirënjohëse për ndihmën e Izraelit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë pritur zyrtarin kryesor ekzekutiv të Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer, të shoqëruar nga Votim Demiri, Kryetari i Bashkësisë Hebraike të Kosovës, me të cilët kanë biseduar për bashkëpunimin në mes të Kosovës dhe Kongresit Botëror të Hebrenjve.
Sipas një komunikate per media, Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është mirënjohëse për ndihmën dhe përkrahjen që shteti i Izraelit u ka dhënë qytetarëve të Kosovës, sidomos në vitet 1998 dhe 1999.
“Miqësia jonë i ka rrënjët thellë në histori dhe në fatet e ngjashme që kemi pasur si popuj”, u shpreh presidenti Thaçi, duke i falënderuar për vendimin që edhe Bashkësia Hebraike e Kosovës të bëhet pjesë e Kongresit Botëror të Hebrenjve.
Zyrtari i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer, theksoi se populli hebre nuk e harron ndihmën e popullit shqiptar.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndërkaq ka thënë se Kosova në kohët më të vështira për hebrenjtë është vënë në mbrojtje të tyre, dhe se kjo ishte gjëja e duhur për t’u bërë.
“Është vërtet ndjenjë e mirë që shqiptarët në ato rrethana, që kanë qenë jo të lehta, janë vënë në mbrojtje të hebrenjve. Si Kosovë na vjen mirë që bazuar në këto vlera i takojmë botës që ka respektuar jetën e njerëzve në kohërat më të vështira. Shqiptarët strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë sepse ajo ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, tha kryeministri Haradinaj.
Haradinaj dhe Singer bën homazheve tek obelisku në nderim të viktimave të Holokaustit.
“Kosova është model i bashkëjetesës dhe komuniteti hebraik është pjesë e pandarë e saj. Në kuadër të takimit, e njoftova për alokimin e ndërtesës për Muzeun e Trashëgimisë Hebraike në Prizren, që do t’i shërbejë ruajtjes së kujtesës historike dhe miqësisë mes dy popujve tanë” tha Haradinaj.
Presidenti i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Singer, ka qëndruar të martën në Kosovë, ku ka zhvilluar takim edhe me liderë tjerë institucional të Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se gjatë takimit me Singer është diskutuar edhe procesi i dialogut me Serbinë dhe raportet e veçanta me diasporën hebreje.
Pas pushtimit gjerman të Kosovës dhe viseve tjera të banuara me shqiptarë, në shtator të vitit 1943, kishte nisur përndjekja e hebrenjve . Por, megjithatë, sipas Bashkësisë Hebraike të Kosovës, numri i hebrenjve në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte rritur.
Shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët, sipas përfaqësuesit të kësaj Bashkësie Votim Demiri, ka krijuar memorien e përbashkët për ngjarjet historike të dy popujve.
Sipas tij, para Luftës së Dytë Botërore, në Kosovë kanë jetuar rreth 480 hebrenj, ndërkaq që komuniteti më i madh i tyre ka qenë në Prishtinë, ku edhe kanë ekzistuar shkollat e këtij komuniteti, Kuvendi Komunal i hebrenjve dhe të tjera.
Pas Luftës së Dytë Botërore, numri më i madh i hebrenjve kanë shkuar në Izrael, kryesisht për shkaqe ekonomike dhe për shkak të lidhjeve familjare.
Aktualisht, në Kosovë tashmë kanë mbetur 56 hebrenj, në 18 familje, të cilat jetojnë në Prizren. Në 17 vjetët e fundit, për në Izrael janë shpërngulur 3 familje.
Hebrenjtë e Kosovës, së shpejti do ta kenë sinagogën e tyre në qytetin e Prizrenit.
Fraksion.com