AktualitetBota+Të fundit

Britani: Parlamenti rrëzon për herë të dytë marrëveshjen e Brexit-it

Ligjvënësit britanikë, për herë të dytë, kanë votuar kundër marrëveshjes për Brexit-in të negociuar nga qeveria britanike dhe Bashkimi Evropian duke e vënë në drejtim të panjohur procesin e daljes së vendit nga BE-ja.

Kundër marrëveshjes votuan 391 deputetë ndërkaq pro ishin 242.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se qeveria e saj, të mërkurën, do të dërgojë një mocion në parlament në mënyrë që ligjvënësit të vendosin nëse do të mbështesin braktisjen e BE-së më 29 mars pa një marrëveshje.

“Nëse kjo dështon atëherë duhet të vendoset nëse do të ketë shtyrje të Brexit-it”, deklaroi May.

Megjithatë ajo potencoi se është përkrahëse e realizimit të vullnetit të popullit për daljen nga Bashkimi Evropian.

Kreu i opozitës njëherit udhëheqës i laburistëve, Jeremy Corbin tha se kryeministrja britanike tash duhet të thërrasë zgjedhjet e përgjithshme.

Në një reagim të menjëhershëm, Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, tha se BE-ja është “e zhgënjyer” nga rezultati i votimit në parlamentin britanik dhe se BE-ja ka bërë “gjithçka që është e mundur për të arritur një marrëveshje” me Britaninë e Madhe.

“Duke pasur parasysh garancitë shtesë të ofruara nga BE në dhjetor, janar dhe dje, është e vështirë të shihet se çfarë mund të bëjmë më shumë. Në qoftë se ekziston një zgjidhje për bllokimin aktual, ajo mund të gjendet vetëm në Londër,” tha Tusk përmes një deklarate.

“Me vetëm 17 ditë të mbetura deri më 29 mars, votimi i sotëm ka rritur ndjeshëm mundësinë e një Brexit pa marrëveshje. Ne do të vazhdojmë përgatitjet tona për këtë dhe do të sigurohemi se do të jemi gati nëse një skenar i tillë paraqitet” tha më tej Tusk.

Bashkimi Evropian paralajmëroi gjatë ditës se nëse marrëveshja për Brexit hidhet poshtë, “nuk do të ketë shans të tretë”.

Ligjvënësit e kanë refuzuar njëherë këtë marrëveshje në muajin janar, kryesisht për shkak të një barriere fizike në ishullin e Irlandës.

Mirëpo kryeministrja britanike, Theresa May, tha se ka siguruar ndryshime “ligjërisht të obligueshme” në planin e saj për Brexit-in. Njoftimi u bë të hënën vonë në Strasburg, ku May takoi presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Në bisedimet e Mayt me Junckerin dhe kryenegociatorin e BE-së për Brexit, Michel Barnier, u ra dakord për dy dokumente, të cilat u tha se do të përmirësojnë marrëveshjen për Brexit.

Mirëpo ligjvënësit britanikë sërish e rrëzuan edhe marrëveshjen me këto ndryshime.

Britania duhet të largohet nga Bashkimi Evropian më 29 mars.

Vendimi pason një referendum të vitit 2016, në të cilin qytetarët britanikë kanë votuar pro Brexit-it.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Brexit-i pa marrëveshje me BE-në do të shkaktonte recesion në Britani dhe do të ngadalësonte rritjen ekonomike në bllokun evropian.

 

Fraksion.com