AktualitetPolitikëTë fundit

Sekretari i PD: Rudina Hajdari nuk përfaqëson më demokratët në parlament

Reagimi i Partisë Demokratike për deklaratat e deputetes Rudina Hajdari, dhënë për “Zërin e Amerikës”, nuk ka vonuar, teksa ka ardhur përmes Sekretarit të Përgjithshëm të forcës më të madhe në opozitë, Gazment Bardhi, përmes rrjetit social “Twitter”.

Bardhi e ka konsideruar vendimin e vajzës së Azem Hajdarit si personal, edhe pse “mandati, – prej të cilit nuk hiqet dorë në kundërshtim me vendimin ekstrem politik të Partisë Demokratike, – është i demokratëve”, thekson më tej ai.

“Është e qartë se nga sot, ajo nuk përfaqëson më PD-në në Parlamentin e krimit, e për pasojë nuk është më as anëtare e Këshillit Kombëtar të PDSH-së. Kaq mjafton”, shkruan Bardhi, teksa shpjegon se vendimet statutore ndaj saj janë të panevojshme, pasi ajo nuk rezulton e regjistruar formalisht si anëtare e PD-së.

“Azem Hajdari ka qenë, është dhe do të mbetet simbol i demokratëve dhe historisë së Partisë Demokratike. Beteja dhe amaneti i tij për liri dhe demokraci është sot më aktual se kurrë, kur Shqipëria rrezikohet nga një qeveri ilegjitime, kriminale dhe e korruptuar. Për këtë amanet të Azem Hajdarit foli Kiri Hajdari në protestën e 5 marsit, përkrah demokratëve që dorëzuan mandatet e deputetëve”, shkruan Gazment Bardhi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së thotë se, gjithsesi, sakrifica sublime e Azem Hajdarit nuk do të shkojë dëm.

“Demokratët dhe qytetarët janë në këmbë për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, për të mos lejuar që shqiptarët të qeverisen nga krimi. Ata kanë folur qartë më 16 shkurt dhe do të flasin edhe më qartë më 16 mars. Shqipëria do të bëhet si gjithë Europa. Koha e Edi Ramës ka mbaruar”, mbyll reagimin e tij Bardhi./tch

 

Fraksion.com