Pse futi kaq shpejt ujë, “Titaniku” i opozitës!
Nga Alfred Peza
Dalëngadalë u mbushen tri javë dhe po i afrohemi muajit të parë të aktit të “djegies” së mandateve të deputetëve të opozitës dhe opinioni publik, po sheh gjithnjë e më qartë, filmin e këtij rrugëtimi të paprecedentë. Trajektorja e tij na tregon se opozita sa vjen dhe po e devijon dramatikisht rrugëtimin, në raport me itinerarin e përshkruar me aq shumë optimizëm, në orët e para të vendimarrjes nga ana e liderëve të PD dhe LSI.
Itinerari i përshkuar fillimisht prej tyre, u tregonte shqiptarëve në përgjithësi dhe opozitarëve në veçanti, një udhëtim të shpejtë, komod dhe luksoz drejt “limanit të pushtetit”. Ky udhëtim me anë të mjetit më ekstrem të luftës politike, ngjan aq shumë sot, me atë të “Titanikut” të famshëm të James Cameron. Një realitet i cili, ashtu si në filmin e Hollywood-it, nisi si një nga aventurat më të bukura e të jashtëzakonshme e mbushur me fanfara, me ngjyra të ndezura, histori idilike, me muzikë, fishekzjarre e hare. Derisa fundi i filmit dihet tashmë, duke përfunduar si një ndër katastrofat më të mëdha të historisë njerëzore.
E ashtu si në film ku protagonistët ishin Leonardo Di Caprio dhe Kate Winslet, në këtë realitetin tonë politik ato janë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Ky udhëtim politik ndryshe nga “Titaniku” i filmit, ka përballë jo ajsbergun e oqeanit, por malin e një sistemi të tërë rregullash loje në një demokraci liberale e funksionale.
Ndryshe nga “Jack” dhe “Rose” e historisë, që u nisën me “Titanikun” drejt “Tokës së Premtuar”, Luli dhe Mona u nisën drejt marjes së pushtetit në tavolinë, nëpërmjet aktit të paprecedentë të daljes nga sistemi i institucioneve, në rrugë. Sa më shumë po kalojnë ditët dhe javët, aq më shumë po kuptohet se “Titaniku” i opozitës shqiptare, pasi u përplas fort me “ajsbergun” e ligjësive të lojës demokratike, ka nisur të fusi ujë.
Fillimisht u mësua se jo të gjithë deputetët ekzistues të opozitës, do ti linin mandatet, siç edhe u deklarua nga lidershipi I saj. Lefter Koka, një nga figurat e rëndësishme politike të LSI dhe Myslim Murrizi fillimisht e më pas Rudina Hajdari, vajza e liderit të dhjetorit ’90, themeluesit dhe kryetarit të parë të PD, refuzoi gjithashtu.
Më pas u tha se Edi Rama do të rrëzohej më 16 shkurt sapo të zhvillohej protesta e opozitës përballë Kryeministrisë. Por, as atë ditë, e as me protestën e 21 shkurtit përpara Parlamentit kur edhe u bë dorëzimi I mandateve, Edi Rama sërisht nuk ra. Në shesh ishin shumë më pak protestues, por në ndryshim nga hera e parë, pas telefonatave për Bashën e Kryemadhin nga përtej oqeani, ata ishin edhe paqësorë.
Më pas u zhvillua një protestë e tretë, me më pak pjesëmarrës, por me më shumë dhunë, e shoqëruar edhe me spektakle zjarresh me goma të djegura. Për të mbërritur tek protesta e fundit e para pak ditëve sërisht përpara Parlamentit, që u mbyll pas një marshimi drejt KQZ, e për tu shpërndarë atje nga ku edhe nisi, në oborrin e SHQUP.
Atë ditë, katër deputetë të rinj të opozitës bënë betimin dhe zunë vendet e tyre në pjesën e lënë bosh nga PD dhe LSI në sallën e Kuvendit. Ky hap dhe moment I dorëzimit të deklaratave të “dorëheqjes” së kandidatëve vijues në listat e partive Parlamentare, tregoi se edhe shumë deputetë të rinj të opozitës, do ti bashkoheshin të parëve që sapo ishin konfirmuar tashmë.
Këtë javë, betimin do ta bëjnë edhe 6 deputetë të rinj të opozitës, ndërkohë që javës së ardhëshme, pritet të zenë vendet e tyre në Parlamet një numër edhe më i madh. As etiketimi I këtyre deputetëve të rinj si “tradhëtarë” dhe as presionet direkte dhe indirekte nga PD e LS. Por, as “argumentat” se Edi Rama po blen mandate për të “emëruar” një opozitë të re të komanduar prej tij, nuk kanë pirë ujë. Sepse jo vetëm deputetët e rinj që e dinë të vërtetën e tyre se janë në ato lista me firmën e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit që në 2017, por edhe më militant I opozitës, e kupton gjithnjë e më qartë tashmë, se e vërteta e madhe nuk mund të fshihet pas zhurmave pa vlerë.
Ata po shohin me sytë e tyre, sesi “Titaniku” i opozitës, sa më shumë ditë kalojnë, aq më shumë po e devijon udhëtimin e saj drejt “Limanit” të pushtetit të premtuar. Arsyeja është fare e thjeshtë: Pas përplasjes me malin e sistemit demokratik, anija e lojës politike të PD dhe LSI ka nisur të fusë aq shumë ujë. Ata që e kuptuan të parët, morën barkat e tyre të shpëtimit dhe janë duke udhëtuar të qetë e të sigurtën breg. Ndërsa të tjerët, janë sulur tashmë drejt “gomave” të tjera dhe po e lenë anijen sa më shpejt që të kenë mundësi. Ndërsa nesër, kur “Titaniku” të ketë nisur zhytjen, e sigurtë është që gjithnjë e më shumë, do të mundohen që të largohen. Por, atëherë në realitet, ashtu si edhe në film ndoshta nuk do të ketë dot aq shumë “barka shpëtimi”, sa për ti nxjerrë të gjithë të palagur në breg.
Fraksion.com