AktualitetTë fundit

Mjekët e QSUT në protestë: “Dhuna e patolerueshme”

Mjekët specializantë janë mbledhur sot para urgjencës së QSUT-së në shenjë proteste kundër dhunës së ushtruar ndaj bluzave të bardha. Atyre në këtë protestë sensibilizuese u janë bashkuar edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Jam këtu për të protestuar krah mjekëve sepse për ne është e papranueshme dhuna ndaj bluzave të bardha! Nuk është dhuna zgjidhja. Ne jemi të vendosur dhe krah mjekëve për t’i mbrojtur ata”, u shpreh zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.

Më tej ajo theksoi se Ministria e Shëndetësisë do të marrë të gjitha masat për të ndryshuar këtë situatë.

Duke theksuar nismën e Ministres për ndryshimin e kodit penal, Rakacolli tha se, ”nisma e ndërmarrë nga ministrja Manastirliu për ashpërsimin e masave për dhunuesit e mjekëve – për ndryshimin e kodit penal që i vendos një mbrojtje të posaçme bluzave të bardha, është një tjetër masë në drejtim të mbrojtjes së mjekëve. Por edhe riorganizimi i shërbimit të sigurisë nga çdo spital do të jetë një masë e shtuar”, u shpreh Zv/ Ministrja.

Në fund, zv/Ministrja e Shëndetësisë ftoi qytetarët të denoncojnë çdo rast abuziv.

”Si ministri jemi pa dyshim dhe në krah të qytetarëve dhe i nxisim të denoncojnë dhunën. Dhuna ndaj mjekëve, është e papranueshme dhe e dënueshme”, tha Rakacolli./tch

 

Fraksion.com