AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump përgatit rizgjedhjen me mesazhin anti-socializëm

Megjithëse duhen edhe 20 muaj deri në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, Presidenti Donald Trump e ka gjetur qysh tani thirrjen e tij të betejës. Ai shpreson se qëndrimi i tij anti-socialist do t’i vendosë demokratët në një pozicion të vështirë dhe se do të përgatisë terrenin për një fitore të tij të re në vitin 2020. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, analizon nëse anti-socializmi është një strategji efektive elektorale në Amerikën e sotshme, ku shumë njerëz janë të zhgënjyer nga aspekte që i perceptojnë si dështime të kapitalizmit.

Kanë kaluar mbi 60 vjet nga filmat vizatimorë të propagandës së Luftës së Ftohtë. Megjithatë, socializmi mund të shërbejë ende si fantazma e politikës amerikane.

Të paktën për Presidentin Trump.

“Socializmi i shërben vetëm një gjëje. Quhet ‘pushtet për klasën sunduese’,” u shpreh Presidenti Trump.

Ndërsa duhen edhe 20 muaj deri në zgjedhje, anti-socializmi është bërë thirrja e betejës së Presidentit.

Gjatë takimit vjetor të Konferencës së Aksionit Politik Konservator, Presidenti akuzoi demokratët se duan “të zëvendësojnë të drejtat individuale me dominimin total të qeverisë”.

Objektivi kryesor i tij është Senatori Bernie Sanders, një social-demokrat i vetëshpallur dhe një ndër kandidatët kryesues ndër sfidantët e shumtë demokratë.

“Për një qeveri që të punojë për të gjithë ne dhe jo vetëm për 1%-shin”, deklaroi Senatori Sanders.

Senatori Sanders mbështet politika si: mbulim shëndetësor për të gjithë, arsim të lartë falas, si dhe dyfishim të rrogës minimale. Ai gjithashtu mbështet rezolutën e propozuar nga demokratët, “The Green New Deal”, e cila do të rigjallëronte ekonominë dhe do të eliminonte ndotjen nga gazrat karbonikë.

Termi risjell në kujtesë planin e Presidentit Roosevelt, “New Deal”, një stimulim masiv i qeverisë për të rikthyer përparimin ekonomik gjatë Depresion të Madh të viteve 1930-të.

Por, a mund të jetë zoti Sanders njeriu që do të bashkonte të gjithë votuesit që nuk mbështesin Presidentin?

“Nëse demokratët emërojnë një kandidat të majtë që do të flasë për socializmin, kjo do të ishte gjëja më e mirë e mundshme për kandidatët republikanë dhe për rizgjedhjen e Presidentit Trump”, thotë Whit Ayres, i firmës studimore “North Star Opinion Research”.

Anketimet tregojnë se pikëpamjet e amerikanëve për socializmin kanë evoluar, në veçanti të brezit të mijëvjeçarit, të cilët arritën moshën madhore gjatë recesionit të vitit 2008 dhe të cilët janë të zhgënjyer me mundësitë e pakta që ofron ekonomia.

“U druhen shpenzimeve mbi të ardhurat. Nuk u zënë besë mekanizmave si kartat e kreditit”, thotë Stefanie O’Connell, autore e një faqeje në internet për menaxhimin e pasurisë.

Por, Presidenti duket se do ta marrë këtë risk. Analistët thonë se paraqitja e demokratëve si socialistë do të përforcojë bazën mbështetëse të Presidentit Trump dhe do të zgjerojë mbështetjen e republikanëve në radhët e votuesve hispanikë.

“Në veçanti në shtete si Florida, ku ka një mërgatë të madhe nga Venezuela dhe Kuba. Ata e kuptojnë saktësisht se ç’është socializmi dhe e urrejnë atë”, thotë Daniel Runde, i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Pikërisht këtë theksoi Presidenti Trump gjatë një fjalimi në Majami.

“Socializmi premton një të ardhme më të mirë, por na rikthen gjithnjë tek kapitujt më të errët të së shkuarës”, tha Presidenti Trump.

Një paralajmërim që duket se Presidenti do ta përsërisë përgjatë rrugëtimit drejt 2020-ës./VOA

 

Fraksion.com