AktualitetPolitikëTë fundit

KQZ u jep mandatin 6 deputetëve të rinj të PD e LSI

Ashtu siç ishte paralajmëruar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh mesditën e sotme për të bërë zëvendësimin e 6 vendeve të lëna bosh nga deputetët e dorëhequr të PD dhe LSI në Parlament.

Sipas rendit të ditës për këtë mbledhje, KQZ i dha mandatin e deputetit Astrit Veliaj, kandidatit të listës shumemërore të Partisë Demokratike, Qarku Berat, Lefter Maliqi.

Ndërkohë, vendin e lënë bosh nga Viktor Tushaj i LSI në Lezhë, e mori Elda Hoti. Sakaq, Nora Malajn, e zgjedhur deputete në Durrës nën siglën e LSI, e zëvendëson Edlira Hyseni.

Një tjetër mandat të LSI, atë të Vangjel Tavos në Gjirokastër, KQZ ia dha një tjetër femre, më konkretisht Ediola Brahës.

Ndërkohë dy demokratëve Gent Strazimiri dhe Klevis Balliu në Tiranë dhe Korçë do t’i zënë vendin në Kuvend respektivisht Ajlinda Halilaj dhe Ligoraq Karamelo.

Gjashtë deputetët e rinj do të betohen seancën e ardhshme parlamentare dhe zyrtarisht me ta, numri i “opozitarëve të rinj” shkon në 10.

Pas betimit edhe të këtyre 6 deputetëve, Parlamenti shkon në kuotën e 92 deputetëve. Nëse votat e tyre ata do t’i bashkojnë me ato të mazhorancës, kjo do të thotë miratim edhe i projektligjeve që kërkojnë 84 vota.

Në rendin e ditës po ashtu KQZ do të diskutojë edhe kërkesat e 4 partive të cilat do të garojnë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

 

Fraksion.com