AktualitetTë fundit

Dosja ‘Hajdari’, Izet Haxhia në Apel: Dëgjomëni, kam prova

Ka nisur sot rreth orës 13:00 në Gjykatën e Apelit të Tiranës gjyqi për Izet Haxhinë, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit. Haxhia përmes këtij apelimi kërkon rigjykimin e tij, pasi pretendon se është i pafajshëm.

Pikërisht këtë linjë qëndrimi ka mbajtur edhe avokati i tij në seancë, kur tha se kërkojnë të faktojnë pafajësinë e Izet Haxhisë. Një gjë e tillë sipas tij mund të arrihet me rihetimin e çështjes.

Ndërkohë që prokurorja Fatjona Memcaj është shprehur se nuk ka vend për rçeljen e çështjes, Ajo ka kërkuar të argumentohet shkaku pse kërkohet riçelja e procesit, duke kërkuar në fund rrëzimin e kërkesës. Gjykata pritet të vendosë më 18 Mars.

Vetë Haxhia ka kërkuar të dëgjohet, gjë e cila sipas tij nuk ka ndodhur nga asnjë gjykatë. Ai thotë se ka prova në lidhje me ngjarjen dhe se do t’i paraqesë. “Deri më sot s’jam dëgjuar nga asnjë gjykatë. Dua të dëgjohem e të paraqes provat e mia. Jam dëshmitar i dorës së parë”,- thotë ai.

Më herët Izet Haxhia dhe avokatit Bashkim Nikolli kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese si Valdete Hoxha, Genti Shala, Astrit Haxhialushi me arsyetimin se kjo trupë nuk mund të garantojë një proces të paanshëm.

Avokati Bashkim Nikolli, theksoi se ai bashkë me klientin e tij do të kërkojnë që treshja e përcaktuar të zëvendësohet me një trup gjykues nga Apeli i rretheve.
Sipas avokatit, fakti që bashkëshortja e Azem Hajdarit punon në të njëjtin ambient me trupën gjykuese, kjo tregon se procesi është i cenueshëm dhe nuk mund të vijohet me këtë metodë gjykimi, sepse me ose pa qëllim gjyqtarët nuk mund të garantojnë proces të drejtë.

Në 2006-n, Izet Haxhia u arrestua në Turqi, ndërsa në maj të këtij viti ai u ekstradua në Shqipëri për të vuajtur dënimin me 25 vite burg që ka marrë nga të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar për bashkëpunim në vrasjen e deputetit Azem Hajdari.

 

Fraksion.com