Shqiptari i vrarë dhe i murosur në Itali: Arrestohen katër persona
Policia italiane e Monzas, ka arrestuar mes Muggios, Ennas dhe Genovas, katër persona të akuzuar për vrasjen dhe murosjen e shqiptarit Astrit Lamaj, i cili u zhduk në Genova, në janar të vitit 2013.
Trupi i shqiptarit u gjet dy muaj më parë më 15 janar, në një banesë në Senago të Brianzas. Mësohet se katër të arrestuarit janë që të gjithë italianë. Nga hetimet e policisë, rezulton se mes tyre është porositësi, ekzekutori dhe personat që murosën kufomën.
Sipas mediave italiane, shqiptari u vra, për shkak se dyshohej për një vjedhje dhe se kishte ndërprerë një lidhje sentimentale me një të afërme të një prej personave të hetuar.
Eshtrat e kufomës u gjetën në kompleksin “Villa degli Occhi” në Senago të Monza, ndërkohë që i zoti i banesës nuk kishte dijeni për asgjë.