David Hale: Të vazhdojnë bisedimet Kosovë – Serbi
Zëvendës sekretari amerikan i Shtetit, David Hale, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërpresin provokimet dhe të rihapin bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Zoti Hale takoi të premten në Beograd presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të diskutuar rrugët e vazhdimit të bisedimeve që janë pezulluar për shkak të refuzimit të Serbisë për vazhdimin e tyre pa heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe që u vendosën në nëntor të vitit të kaluar nga qeveria e Kosovës.
Në një njoftim të ambasadës amerikane në Beograd pas takimit thuhet se “Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për heqjen e tarifave, ndërprerjen e provokimeve të dyanshme dhe vazhdimin e bisedimeve. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin me Serbinë dhe dëshirojnë të ndërtojnë marrëdhënieve edhe më të fuqishme” thuhet në një njoftim të publikuar në rrjetin twitter.
Presidenti serb tha se qëndrimi i Beogradit kundrejt situatës do të jetë “i vendosur, serioz dhe i përgjegjshëm”.
Zoti Hale pritet të qëndrojë të shtunën në Prishtinë, për t’u bërë thirrje autoriteteve që të pezullojnë tarifat ndaj mallrave serbe dhe të hapin rrugën për rifillimin e bisedimeve.
Në prag të vizitës në Serbi dhe Kosovë, ai i tha të përditshmes serbe Danas, se nuk u takon Shteteve të Bashkuara që të “diktojnë përfundimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit” dhe se “ka mundësi që gjatë këtij viti të arrihet një marrëveshje, nëse fillojnë bisedimet”.
Javën që lamë pas, dy zyrtarë të lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, qëndruan për dy ditë në Kosovë për të siguruar pezullimin e tarifave ndërsa paralajmëruan shtimin masave ndëshkuese nëse Kosova vazhdon të refuzojë kërkesat e tilla.
Kërkesat amerikanë kanë nxitur përplasje të brendshme në Kosovë ndërmjet atyre që ngulin këmbë të dëgjohen këshillat amerikane dhe atyre që pohojnë se tarifat duhet të pezullohen vetëm me garanci për përfundimin e bisedimeve me Serbinë me njohje të ndërsjellë.
Fraksion.com