Shqipëria “hyn” në BE: 390 mijë persona kanë marrë nënshtetësi europiane
Ndërsa Shqipëria është një nga vendet më pro-europiane dhe po përpiqet me të gjitha forcat që të anëtarësohet në Bashkimin Europian- gjë që duhet ende shumë e largët- qytetarët e saj janë një hap para. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor, që nga viti 2002 deri në 2017-n kanë marrë nënshtetësi në një nga vendet e BE-së 390,889 persona. Shqiptarët që kanë tashmë një pasaportë të BE-së përbëjnë rreth 14% të popullsisë që jeton aktualisht në Shqipëri dhe që sipas INSTAT vlerësohet në rreth 2.86 milionë banorë.
Shtetasit shqiptarë kanë filluar të marrin nënshtetësi të një vendi të BE-së përgjithësisht duke nisur nga viti 2008 (rreth 17 mijë), për të arritur në nivelin më të lartë në 2016-n, me rreth 67.5 mijë.
Gjatë këtyre 14 viteve, Greqia dhe Italia janë dy shtetet që kanë dhënë numrin më të madh të pasaportave për shqiptarët, nisur dhe nga numri i lartë i emigrantëve që kanë shkuar në këto dy vende pas viteve ’90. Në Greqi kanë marrë nënshtetësinë rreth 180 mijë shqiptarë dhe në Itali rreth 175.6 mijë.
Greqia ka filluar të japë nënshtetësi për shqiptarët që nga viti 2007 (me rreth 2500), por vitet e fundit e ka “lëshuar” dorën, duke dhënë në 2017-n një numër rekord prej gati 30 mijë nënshtetësish për shtetasit shqiptarë.
Italia dha për herë të parë rreth 4,500 nënshtetësi në 2008-n, dhe arriti rekordin në 2015-2016 me rreth 35-36 mijë pasaporta për çdo vit, për të rënë në 27 mijë në 2017-n.
Shteti i tretë më dorëlëshuar me nënshtetësinë ka qenë Mbretëria e Bashkuar, me rreth 11 mijë persona që kanë marrë pasaportë britanikë. Vitet e fundit Britania e ka ulur me tre herë numrin e pasaportave që jep për shtetasit shqiptarë (315 në 2017-n, nga rreth 1,400 në 2009-n).
Në vend të katërt është Gjermania, me rreth 6000 të tilla për 15 vjet, që jep më pak se 300 pasaporta në vit.
Më pas renditen Belgjika (5,582), Franca (3,746), Suedia (1,262), Austria ( 1,070).
Rreth 60 mijë shqiptarë morën nënshtetësi të vendeve të BE-së në 2017-n
Në vitin 2017 morën nënshtetësi në vendet e BE-së 58 900 persona, sipas të dhënave të publikuara sot nga Eurostat. 97% e tyre kanë marrë nënshtetësi italiane, ose greke.
Shqiptarët renditen të dytët për sa i përket marrjes së nënshtetësisë, pas marokenëve, që ishin grupi më i madh me 67 900 persona që morën nënshtetësi, nga të cilët 83% në Itali, Spanjë, ose Francë.
Në total, thotë Eurostat, në vitin 2017 rreth 825 000 persona morën nënshtetësi në një shtet anëtar të Bashkimit Europian, në rënie nga 995 000 në 2016 dhe 841 000 në 2015.
Nga numri i përgjithshëm i personave që kanë shtetësinë e një prej Shteteve Anëtare të BE-së në vitin 2017, 17% ishin ish-shtetas të një shteti tjetër anëtar të BE-së, ndërsa shumica ishin qytetarë jo-shtetas të BE-së ose persona pa shtetësi.
Pas Shqipërisë dhe Marokut në vend të tretë ishte India (31,600, mbi 53% e fituar shtetësinë britanike), Turqia (29,900, mbi 50% fituan shtetësinë gjermane), Rumania (25,000, 32% fituan shtetësinë italiane), Pakistani 100, 45% fituan shtetësinë e Mbretërisë së Bashkuar), Poloni (22,000, 63% kanë fituar shtetësinë e Mbretërisë së Bashkuar ose Gjermani) dhe Brazili (21,600, 74% kanë fituar nënshtetësinë e Italisë ose Portugalisë).
Marokenët, shqiptarët, indianët, turqit, rumunët, pakistanezët, polakët dhe brazilianët përbënin së bashku (34%) të numrit total të personave që morën shtetësi të një vendi të BE-së në 2017. Rumunët (25 000 persona), polakët (22 000) dhe britanikët (15 000) ishin tre grupet më të mëdha të qytetarëve të BE-së që morën shtetësi të një shteti tjetër të BE-së./Monitor
Fraksion.com