Kosova

Kosovë: Kuvendi shqyrton sot Projektligjin dhe Platformën për dialogun

Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme ku në rend dite ështl shqyrtimi i çështjeve që ndërlidhen me dialogun me Serbinë.

Deputetët do të kenë në shqyrtim Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, si dhe shqyrtimin e Platformës për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të dy pikat e kësaj seance nuk kanë marrë edhe mbështetjen e dy partive më të mëdha opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Ndërkaq subjekti tjetër opozitar Partia Socialdemokrate është pjesëmarrëse në hartimin e Projektligjit dhe Platformës për dialogun, bashkë me partitë në pushtet.

Në Platformën që pritet të prezantohet në Kuvend thuhet se Kosova pret që procesi i dialogut tё intensifikohet dhe përshpejtohet në vitin 2019 me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme.

Objektivi i kësaj marrëveshjeje është zgjidhja e tё gjitha çёshtjeve tё hapura, duke u mundësuar të dy shteteve të njohin sovranitetin e njëra-tjetrёs dhe hapur rrugë Kosovës drejt anëtarësimit në Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

“Kjo Platformё paraqet qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës dhe përcakton parimet, qëllimet dhe pritjet e Republikës sё Kosovës në procesin e dialogut. Pёrmes saj synohet arritja e konsensusit sa mё tё gjerё politik dhe shoqёror nё procesin e dialogut me Serbinё”, thuhet në Platformë.

“Qëllimi kryesor i Republikës së Kosovës është që nga Republika e Serbisë të sigurojë njohjen dhe pranimin e qartë të sovranitetit të Kosovës si shtet i pavarur, me zotime ligjërisht të detyrueshme: të ndërpresë të gjitha aktivitetet që pengojnë Republikën e Kosovës në rrugën drejt njohjes ndёrkombёtare si shtet i pavarur dhe sovran”, theksohet në Platformë.

Aty kërkohet që Serbia “të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës; të heqё dorё nga kundërshtimi, ose ndikimi mbi palёt e treta që të kundërshtojnë, çfarëdo aplikimi nga Republika e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, OSBE-në, dhe agjencitë e tyre; dhe të heq dorё nga të gjitha format e ndërhyrjes në çështjet e brendshme apo marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovёs beson se kjo ёshtё e vetmja mënyrë efektive për të nxitur bashkëpunimin midis dy shteteve, për të arritur progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve, siç edhe parashihet nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të datёs 9 shtator 2010”.

Delegacionit të Kosovës në negociata me Serbinë i bëhet me dije se “Kushtetuta e Kosovёs e cila ka pёrfshirё obligimet e dala nga Plani i Ahtisaarit nuk është e hapur për negocim”.

“Ky Plan shënoi përmbylljen e njё procesi tё negociatave tё autorizuara nga Kombet e Bashkuara për statusin përfundimtar të Kosovës dhe mori përkrahjen e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare si zgjidhja përfundimtare”, thuhet ndër tjera në tekstin e Platformës.

Sidoqoftë, edhe në rast se Kuvendi miraton Ligjin dhe Platformën për dialogun, mbetet e paqartë rifillimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përderisa Prishtina zyrtare e mbanë në fuqi edhe taksën doganore që u ka vendosur importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Që nga nëntori i vitit të kaluar, kur ishte vendosur kjo taksë, Beogradi ka lëshuar bisedimet duke e kushtëzuar kthimin në tavolinë me shfuqizimin e saj.

Kërkesa për pezullimin e taksës, Prishtinës zyrtare i kanë ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian./REL

 

Fraksion.com