John Bolton: Kush është njeriu që po sjell zgjidhjen Kosovë-Serbi
Nëse ka një person që po investon më shumë se të gjithë për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ai është John Bolton, Këshilltar për Sigurinë i presidentit amerikan, Donald Trump, raportonte një ditë më parë gazetarja e Der Standard, Adelheid Woelfl.
Bolton është një personazh që ngjall kuriozitet kudo. Gazetari Graeme Wood i revistës ‘The Atlantic’, ka publikuar një portret për të.
“Bolton është figura më e rëndësishme në sigurinë kombëtare amerikane edhe për shkak se pozicioni i tij nuk kërkon konfirmim nga Senati, ai nuk i përgjigjet askujt përveç presidentit Trump. Ai është i vetmi që e di si punon Shtëpia e Bardhë, pasi ka shërbyer në çdo administratë republikane që prej vitit 1981,” shkruan ai.
“Unë jam pro-amerikan. E vetmja shpresë për lirinë e njerëzimit në histori janë Shtetet e Bashkuara. Çdo mëngjes zgjohem duke thënë: Çfarë interesash të SHBA duhet të avancojmë sot?” shprehet Bolton.
Dhe kandidati që e mishëronte më mirë këtë pragmatizëm pro-amerikan ishte Donald Trump.
Kur një person nga ekipi i presidentit rus, Vladimir Putin i tha: Më pëlqeve pasi je diplomat pragmatist, ai u përgjigj: Kjo është gjëja më e mirë që më kanë thënë prej kohësh.
Fillimisht Trump e refuzoi kandidaturën e tij, pasi besojeni ose jo, nuk i pëlqenin mustaqet. “Është shumë i zgjuar dhe i aftë. Mund të ishte ngritur më shpejt nëse do kishte qenë më pak k…”, thotë një njohës i mirë i tij.
“Bolton është sovranist. Ai mendon se SHBA nuk duhet të kufizohet nga organizatat ndërkombëtare. Pas Luftës së Ftohtë, SHBA e kufizoi veten nga disa organizata multilaterale, të drejtuara kryesisht nga europianët, që kufizojnë veprimet e SHBA, njësoj siç mund të lidhesh Guliverin”, thotë John Yoo.
Por çfarë fshihet pas insistimit amerikan për të zgjidhur problemin mes Kosovës dhe Serbisë? Disa media thonë se fshihen interesa lobiste. Të tjera si portali European Western Balkans mendojnë ndryshe.
“Uashingtoni vlerëson se kjo çështje është shumë e rrezikshme për t’ia lënë europianëve, sidomos kur kanë parë ndikimin në rritje të Rusisë,” thotë gazetari serb Boshko Jakshiç.
“SHBA është shumë më efiçente se BE. Në vitin 2017, Uashingtoni deklaroi vendosmërinë për zgjidhjn e çështjes mes Shkupit dhe Athinës. Dhe ia dolën. Çështja u zgjidh pas 27 vitesh pritje”.
Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të nënshkruhet shpejt, pasi edhe në BE nuk do bëjë rezistencë. Madje EWB beson se as kancelarja gjermane, Angela Merkel nuk do dalë kundër ‘skenarit amerikan’.
Por a parashikon kjo marrëveshje një shkëmbim territoresh? Mësohet se amerikanët kanë kërkuar një marrëveshje të pranuar nga palët me rezultat final njohjen e Kosovës, por që do garantojë se nuk do ketë efekt zinxhir në rajon.
Vetëm se në këtë rast është e vështirë të parashikosh se cila marrëveshje nuk do ketë efekt domino.
Fraksion.com