AktualitetEkonomiTë fundit

Hyjnë në fuqi shtesat dhe ndryshimet në udhëzimin “Për tatimin mbi të ardhurat”

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka rikujtuar edhe një herë tatimpaguesit se ka hyrë në fuqi udhëzimi “Për tatimin mbi të ardhurat” duke dhënë edhe specifikimet për detajet e reja.

Ndryshimet  kryesore të këtij udhëzimi ndalen tek norma tatimore e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi sipas nivelit të pagës bruto e cila zbatohet sipas kategorive të mëposhtme: 0% për pagën mujore bruto deri 30,000 lekë; 13% për pagën mujore bruto 30,001 – 150,000 lekë; 23% për pagën mujore bruto mbi 150,000 lekë.

“I nënshtrohen Tatimit në Burim edhe:

-Të ardhurat e një personi jorezident, të përftuara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person rezident. Për këto të ardhura, rezidenti që përfiton shërbimin, do të mbajë

Tatimin në Burim nga pagesat që do të bëjë për jorezidentin.

-Të ardhurat e përfituara nga shumat bruto të pagesave për shërbimet e konsulencës. Të gjithë personat rezidentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qendrore e vendore, Organizatat Jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër, i njohur nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim për këto pagesa.

Tatimit mbi Fitimin i nënshtrohet edhe:

Çdo person jorezident, i cili nuk është i regjistruar sipas legjislacionit shqiptar dhe nuk i nënshtrohet Tatimit mbi të Ardhurat. Për përmbushjen e këtij detyrimi, personat jorezidentë do të plotësojnë deklaratën e veçantë të të ardhurave të tatueshme, e cila duhet dorëzuar brenda datës 31 mars të vitit pasues dhe paguajnë tatimin në kohën e dorëzimit.

Për efekt të llogaritjes së rezultatit të vitit fiskal:

Do të konsiderohen shpenzime të panjohura, shpenzimet për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore.

Për Tatimin mbi Dividentin:

Tatimi mbi Dividentin do të aplikohet në shkallën tatimore 8%. Për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, kjo shkallë zbatohet me kushtin që:

tatimi që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019;

tatimi për dividentin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.

Nëse nuk zbatohen kushtet e mësipërme tatimpaguesi do të paguajë 15% tatim mbi dividetin.

Për borxhin e keq (provizionet):Në rast se pasuria e luajtshme ose e paluajtshme që siguron kredinë, ekzekutohet përpara afateve të përcaktuara në ligj për fshirjen e borxhit të keq, provizionet e mëparshme bankare, të njohura si shpenzime të zbritshme, do të vazhdojnë të njihen si të tilla” thuhet në njoftimin e Tatimeve.

 

Fraksion.com