AktualitetBota+Të fundit

Beteja kundër ISIS-it ngre pikëpyetje komplekse

Presidenti Donald Trump thotë se kalifati i Shtetit Islamik në Siri është pothuajse i eliminuar. Megjithatë, analistët thonë se lufta është ende e gjatë. Disa shtetas të vendeve perëndimore që shkuan në Siri ose në Irak për t’u bashkuar me grupin terrorist, tani duan të kthehen në vendet e tyre. Ndërkohë, kriza humanitare në rajon vazhdon të përkeqësohet. Analistët e ftuar këtë javë në emisionin “Plugged In” me gazetaren Greta Van Susteren diskutuan çështjet komplekse që rrethojnë luftën kundër Shtetit Islamik.

Gjendja e dy grave – njëra nga Shtetet e Bashkuara dhe tjetra nga Britania – po tërheqin vëmendjen përsëri tek joshja e rrezikshme nga Shteti Islamik.

Hoda Muthana udhëtoi për në Siri për t’u bashkuar me grupin terrorist në vitin 2014.

Ajo u bë nuse e Shtetit Islamik dhe bëri thirrje për vdekjen e amerikanëve. Tani, nënë në moshën 24-vjeçare ajo dëshiron të kthehet në Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht se ka një pasaportë të vlefshme amerikane dhe çertifikatë lindjeje, Departamenti i Shtetit argumenton se Muthana nuk ka qenë një qytetare amerikane, pasi babai i saj ishte një diplomat i huaj kur ajo lindi.

19-vjeçarja Shamina Begum, që shihet këtu së bashku me foshnjen e saj, gjithashtu dëshiron të kthehet në vendin e saj, Britani, pasi u largua për t’u bashkuar me Shtetin Islamik në vitin 2015. Qeveria britanike ia ka hequr shtetësinë.

Michael O’Hanlon me institutin Brookings thotë se për Hoda Muthanan, dhe të tjera si ajo, duhet një shqyrtim i kujdesshëm ligjor.

“Nga ato pak që kam lexuar, them se ajo ka bërë një budallallëk të pafajshëm dhe mund të mos ketë gjak personalisht në duart e saj. Pra, mendoj se brenda strukturës së sistemit ligjor, duhet të jemi të gatshëm t’i japim asaj një gjykim të drejtë dhe një dënim që do të ishte i përshtatshëm për çdo krim që mund të provojmë se ajo ka kryer”, thotë ai.

Jeff Seldin me Zërin e Amerikës thotë se Shteti Islamik përdor taktika specifike për grupe të dobëta grash.

Ata vunë në shënjestër gratë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por edhe në pjesë të tjera të botës, veçanërisht në vende ku nëse je grua dhe le të themi do që të bëhesh mjeke, bëhesh mjeke. Je 25 apo 26 vjeçe dhe ke një diplomë. Në disa vende, kjo është moshë e madhe dhe në disa familje ka tension pasi të thonë – je shumë e madhe për tu martuar, nuk ka vend për ty këtu tani‘”, thotë ai.

Lufta civile në Siri dhe prania e luftëtarëve të Shtetit Islamik kanë zhvendosur miliona njerëz tani të strehuar në kampe, veçanërisht në mbarë Sirinë dhe në Jordani. Çfarë mund të bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera për t’i ndihmuar?

“Duhet ta analizojmë edhe një herë luftën siriane, e cila është pjesë e arsyes pse mendoj se trupat amerikane duhet të qëndrojmë në verilindje të Sirisë. Mund të sjellësh një farë stabiliteti dhe të hartosh një lloj mekanizmi për të arritur më në fund një marrëveshje të pasluftës, ku Presidenti sirian Bashar al-Asad qëndron në pushtet për njëfarë kohe, por së paku mund të fillojë një proces i kufizuar në një pjesë të vendi për të sjelljë njerëzit në vend”, thotë Michael O’Hanlon.

Presidenti Donald Trump kishte urdhëruar tërheqjen e të 2.000 trupave amerikane nga Siria deri në fund të prillit. Por, Shtëpia e Bardhë njoftoi së fundmi se 200 ushtarë amerikanë do të mbeten si paqeruajtës për “një periudhë kohore”./VOA

 

Fraksion.com