AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Para zgjedhjeve të 2020-ës, shumë demokratë anojnë nga e majta

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders është i fundit mes demokratëve të shumtë që hyri në garën presidenciale për zgjedhjet e vitit 2020.Zoti Sanders dhe disa demokratë të tjerë në garë kanë pikëpamje progresiste për çështje si ekonomia, mjedisi dhe kujdesi shëndetësor.Presidenti Donald Trump dhe disa republikanë kanë reaguar duke thënë se Partia Demokrate po shkon drejt socializmit, duke përgatitur terrenin për një betejë të ashpër ideologjike vitin e ardhshëm.

Nga Kamala Harris tek Cory Booker tek Elizabeth Warren, kandidatët demokratë presidencialë po i mobilizojnë votuesit në fushatë.

“Mund ta fitojmë këtë betejë. Të ëndërrojmë, të luftojmë dhe të fitojmë”, tha në një tubim të fushatës, senatorja demokrate, Elizabeth Warren.

Senatori nga Vermonti, Bernie Sanders, i vetëquajtur demokrat socialist, është demokrati i fundit që hyn në fushatë.

“Fushata jonë është për të krijuar një qeveri dhe një ekonomi që i shërben shumicës, jo vetëm disave”, tha ai.

Kjo energji progresiste është gjithashtu e dukshme tek anëtarët e rinj demokratë të Kongresit, si përfaqësuesja e Nju Jorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, që ka propozuar një plan të gjerë për mjedisin.

“Jam shumë e entusiazmuar që do ta zhvendosim vendin tek e ardhmja, dhe nuk do të frenohemi nga e kaluara jonë”, tha ajo.

Por theksi i demokratëve tek planet e mëdha për mjedisin, taksat ndaj të pasurve dhe zgjerimi i programeve qeveritare për kujdesin shëndetësor ka shkaktuar readime të ashpra nga republikanët dhe Presidenti Donald Trump.

“Ka nga ana që duan të sjellin socializmin pikërisht këtu në Shtetet e Bashkuara. Prandaj ju them juve dhe e them që ta dëgjojë bota: Amerika nuk do të jetë kurrë një vend socialist. Kurrë!”, tha Presidenti Trump në një tubim.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi thotë se debati i gjallë, është pjesë e të qenit një parti e larmishme.

“Mirësevini në Partinë Demokrate. Ne nuk kontrollojmë askënd, nuk jemi të njëtrajtshëm. Nuk kemi qenë kurrë dhe në fakt kush do ta donte një parti të tillë”,thotë ajo.

Demokratët kanë pasur gjithmonë reputacion për ndasi ideologjike dhe debate të brendshme, thotë analisti Larry Sabato.

“Humoristi Will Rogers e shprehu më mirë në vitet 1920, kur tha: ‘Nuk i takoj një partie të organizuar politike. Jam demokrat.’Dhe këtë po shohim sot.Ka aq shumë fraksione në Partinë Demokrate dhe të gjitha përfaqësohen nga një kandidat, ose dy ose tre”.

Votuesit demokratë do të kërkojnë disa cilësi të veçanta tek kandidati për president thotë Elaine Kamarck e Institutit Brookings.

“Të rinj dhe agresivë dhe që të jenë të përgatitur të përballojnë sfidat me të cilat përballet vendi. Do të kërkojnë dikë që është e kundërta e Donald Trumpit.”

Por shumë demokratë do të jenë të interesuar për një kandidat që të fitojë ndaj presidentit, thotë Jim Kessler i organizatës “Third Way”.

“Nëse një kandidat anon shumë majtas me një program si ai i Bernie Sandersit, mendoj se ai do të jetë në rrezik të humbasë përballë Donald Trumpit dhe nuk më duket se shumë demokratë janë në atë pozicion politikisht”.

Nënpresidenti Joe Biden dhe ish-kryebashkiaku i Një Jorkut, të dy centristë mund të hyjnë në garë në të ardhmen e afërt, duke garantuar një debat të gjallë në zgjedhjet brenda partisë./VOA

 

Fraksion.com