SHBA dhe Britania kundër emërimit të personave të pakualifikuar në borde të Kosovës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë reaguar lidhur me emërimin nga Kuvendi i Kosovës, të Naser Shalës në pozitën e drejtorit të Sekretariatit të të Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Bordit të kësaj agjencie, në shenjë pakënaqësie për emërimin e Shalës, duke e konsideruar se ai nuk i ka përmbushur kriteret.
“Fatkeqësisht, javën e kaluar, Kuvendi dështoi të zgjedh të vetmin kandidat, i cili kishte përmbushur kriteret për këtë pozitë dhe në vend të kësaj emëroi kandidatin që nuk konsiderohet se plotëson kriteret profesionale”, është thënë në komunikatë.
Ambasada e Britanisë së Madhe kishte nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Kuvendin e Kosovës për monitorimin e emërimeve në institucionet e shtetit.
Në komunikatë thuhet se Kuvendi i Kosovës me emërimin e Shalës ka shkelur Memorandumin.
Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, përmes një postimi në Twitter tha se është “i zhgënjyer” me dështimin e Kuvendit për të emëruar kuadro profesionale në udhëheqësin e Agjencisë për Krahasimin dhe Verifikimin e Pronës.
“Deputetët kanë dëshmuar se vlerësojnë më shumë emërimin e bashkëpunëtorëve të tyre në pozita të larta sesa të drejtat pronësore të qytetarëve të Kosovës”, tha Kosnett.