AktualitetTë fundit

Salianji, reagon PD: Vendim politik i Ramës

Ndërsa Prokuroria e Tiranës pritet të marrë të premten si të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianjin për audio-përgjimin “Xhafaj-Babale”, vjen një reagim nga Partia Demokratike.

Sipas PD-së, vendimi i prokurorisë është vendimi politik i kryeministrit Rama. Në reagim shtohet se i akuzuar për “kallëzim të rremë” është denoncuesi, pra në këtë rast Salianji dhe jo ai që bën krimin. “Rama e prokuroria nuk do t’ia mbyllin gojën opozitës”,- thotë PD në reagimin e saj ndër të tjera.

 

Reagimi i plotë i PD

Prokuroria nuk zhgënjeu dhe sot, kur zyrtarizoi vendimin politik të Edi Ramës për marrjen të pandehur të Ervin Salianjit. Asnjë surprizë nuk ka në këtë vendim, ku i akuzuar është denoncuesi dhe jo ai që bën krimin.

Denoncimi i Partisë Demokratike faktoi përfshirjen në trafik droge të vëllait të Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe mbështetjen që i siguronte ai nga funksioni publik. Falë këtij denoncimi: Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, nuk vazhdon të merret më trafik droge, por është në burg në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Fatmir Xhafaj u shkarkua si Ministër i Brendshëm, duke mos përdorur më pushtetin e tij politik për të favorizuar të vëllain në trafik droge.

Taulant Balla dhe Ardi Veliu u faktuan si manipulatorët e çeshtjes, duke fabrikuar prova e dëshmitarë, me qëllimin e vetëm mbojtjen e Ministrit të Brendshëm dhe vëllait të tj trafikant droge.

Vendimi politik i Prokurorisë është paralajmëruar nga Edi Rama që ditën e parë të zbulimit të skandalit nga Partia Demokratike. Akti i sotëm dëshmoi, edhe njëherë se, përsa kohë Edi Rama të jetë në Qeveri, drejtësia i ka duart e lidhura dhe krimi i organizuar do të jetë i paprekshëm.

Edi Rama dhe prokuroria e tij politike nuk do t’ia mbyllin dot gojën opozitës! Partia Demokratike është e vendosur të denoncojë çdo aferë që provon se Qeveria Rama është produkt dhe peng i krimit të organizuar. ​

 

Fraksion.com