Qeveria ende pa vendim nëse do t’i pranojë kosovarët që janë në Siri
Qeveria e Kosovës do të veprojë njësojë sikurse shtetet tjera të koalicionit global kundër grupit militant Shteti Islamik (IS) me qytetarët të cilët vazhdojnë të jenë në vatrat e luftës në Siri.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, nga Zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj, kanë bërë të ditur se janë duke e ndjekur me shqetësim gjendjen e qytetarëve kosovarë atje, mirëpo nuk kanë dhënë përgjigje të qartë, nëse ka ndonjë veprim konkret për kthimin e këtyre qytetarëve në shtëpitë e tyre.
Aty thuhet se Qeveria e Kosovës, ka vënë si prioritet dhe është përkushtuar maksimalisht që të mbrojë qytetarët nga ideologjitë ekstremiste, si dhe të parandalojë të gjitha format e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.
“Dhjetëra Kosovarë dhe familjarë të tyre (gra dhe fëmijë), që vazhdojnë të jenë në zonën e konfliktit, disa prej të cilëve janë të arrestuar apo gjenden nëpër kampe të ndryshme të forcave opozitare siriane. Duke marrë në konsideratë mundësinë e ri-atdhesimit të tyre, Qeveria e Republikës së Kosovës, si shtet anëtar i koalicionit kundër ISIS-it, do të vazhdojë të trajtojë këtë çështje në pajtim me politikat e koalicionit, praktikat e shteteve anëtare, si dhe duke respektuar të drejtën ndërkombëtare, Kushtetutën, ligjet dhe interesat e qytetarëve dhe shtetit”, thuhet në këtë përgjigje.
Si pjesë e koalicionit global kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS), thuhet në këtë përgjigje, Republika e Kosovës ka dëshmuar të jetë partnere e besueshme, duke dhënë kontribut të çmuar në arritjen e objektivave të këtij koalicioni.
“Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës kanë arrestuar dhe vënë para drejtësisë gjithë personat që janë kthyer nga zona e konfliktit dhe persona tjerë që kanë organizuar, rekrutuar, financuar dhe lehtësuar udhëtimin e tyre për në zonën e konfliktit. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë hartuar dokumente dhe kanë ngritur mekanizma për rehabilitimin e personave të radikalizuar, luftëtarëve të huaj dhe familjet e tyre”, thuhet në këtë përgjigje.
Përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, sipas Zyrës së Kryeministrit është vlerësuar si lidere në rajon në trajtimin, parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.
Ndërkaq, javëve të fundit, Forcat Demokratike Siriane dhe aleatët e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë liruar qindra qytetarë të cilët ishin të ngujuar brenda hapësirës që e kontrollonte grupi militant, Shteti Islamik.
Në vatrat e luftës në Siri, ende janë më shumë se 150 burra, gra dhe fëmijë nga Kosova. Këtij numri i shtohen edhe 60 fëmijë të tjerë të cilët kanë lindur në vitet e fundit dhe të cilët së paku njërin nga prindërit e kanë me shtetësi të Kosovës.
Numri i kosovarëve që u bënë pjesë e luftës së Sirisë filloi të rritet në fund të vitit 2012 dhe në fillim të vitit 2013.
Fraksion.com