AktualitetPolitikëTë fundit

Lobimi i Bashës, Prokuroria konfirmon: Kemi 2 letërporosi nga SHBA!

Prokuroria e Tiranës ka konfirmuar mbëritjen e letërporosisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me hetimin penal që ka nisur për dy kontratat lobuese që Partia Demokratike kishte firmosur me kompaninë “Stonington Strategies”.

Gjatë një komunikimi me prokurorin e çështjes Gjergji Tako, ky i fundit deklaroi për “Shqiptarja.com” se nga Amerika kanë mbëritur letërporositë dhe tashmë hetimet për këtë çështje kanë rinisur sërisht. Tako nuk pranoi të japë asnjë të dhënë se çfarë përgjigje kishte mbëritur nga SHBA, kjo pasi nxjerja e të dhënave që përmbajnë dy letërporositë, sipas tij mund të cënojë besimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë mes dy vendeve. Lidhur me këtë çështje në prokurorinë e Tiranës janë pyetur disa funksionarë të Partisë Demokratike, si Enno Bozdo dhe Arben Ristani, të cilët menaxhojnë financat e PD.

Kontratat u raportuan më 14 nëntor në Departamentin amerikan të Drejtësisë nga kompania “Stonington Strategies”, ku deklaron se ka marrë dy pagesa nga Partia Demokratike me vlerë totale 525 mijë USD dhe një pagesë të tretë nga “Biniatta Trade LP”-një kompani guackë e regjistruar në Skoci në vlerën e 150 mijë USD.

Kontrata e drejtpërdrejtë e PD-së me “Stonington Strategies” është raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA që në muajin mars 2017, ndërsa kontrata me “Biniatta Trade LP’ është mbajtur e fshehur për disa muaj dhe është raportuar në mesin e muajit nëntor 2017.

Asnjëra prej këtyre pagesave nuk rezulton në raportin financiar që Partia Demokratike ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për fushatën zgjedhore 2017, ç’ka ngre pikëpyetje serioze për origjinën e parave. Raporti i publikuar në faqen zyrtare të KQZ, tregon se PD pasqyron vetëm pagesat për dy kontrata lobimi me kompaninë tjetër të lobimit “Barnes and Thornburg LLP” në vlerën e 12 585 000 lekëve.

 

Fraksion.com