AktualitetKosovaTë fundit

Diplomatët amerikanë dhe evropianë kritikojnë parlamentin e Kosovës

Në Prishtinë diplomatët amerikanë dhe evropianë reaguan me kritika të rrepta ndaj vendimit të parlamentit të Kosovës për emërimin e Naser Shalës në postin e drejtorit të Sekretariatit të Agjencisë së Krahasimit dhe Vërtetimit të Pronës në Kosovë.

Ata thanë se gjatë procesit të rekrutimit të kandidatëve, proces i mbështetur nga ambasada britanike, ishte përzgjedhur një kandidat tjetër që plotësonte të gjitha kriteret e kërkuara.

Kjo agjenci e pavarur e themeluar nga parlamenti i Kosovës, ka në mandatin e saj të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Pronat, të zgjidhë dallimet dhe mos përputhshmërinë në mes të dokumenteve të cilat i ka marrë Kosova nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale të Kosovës, për pronën private, atë komerciale dhe pronën e bashkësive fetare.

Të mërkurën ambasadori britanik, Ruairi O’Connell, dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Këshillit Drejtues të kësaj agjencie, në shenjë pakënaqësie për emërimin e zotit Shala.

Ambasada britanike ka një Marrëveshje Mirëkuptimi me parlamentin e Kosovës për vëzhgimin e emërimeve në agjencitë e pavarura.

Në një njoftim të ambasadës britanike thuhet se parlamenti shkeli këtë marrëveshje.

“Fatkeqësisht, javën e kaluar, parlamenti dështoi të zgjedhë të vetmin kandidat, i cili kishte përmbushur kriteret për këtë pozitë dhe në vend të tij emëroi kandidatin që nuk konsiderohet se plotëson kriteret profesionale”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e ambasadës britanike.

Duke i bërë jehonë qëndrimit britanik, ambasadori amerikan, Philip Kosnett, në një postim ne rrjetin twitter u shpreh “i zhgënjyer me dështimin e parlamentit për të emëruar kuadro profesionale” në këtë agjenci.

“Deputetët dëshmuan se vlerësojnë më shumë emërimin e miqve të tyre në pozita të larta sesa të drejtat pronësore të qytetarëve të Kosovës”, shkroi ambasadori Kosnett.

Edhe zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë u shpreh thellësisht e “zhgënjyer”, duke theksuar se emërimi nuk është “në vijë me praktikat dhe vlerat evropiane”.
Nuk pati nje reagim të menjëhershëm të parlamentit të Kosovës.
Fraksion.com