AktualitetBota+Të fundit

Venezuelë: Juan Guaido pritet me demonstrata nga përkrahësit

Udhëheqësi i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, i vetëshpallur President i Përkohshëm i vendit dhe i njohur nga Shtetet e Bashkuara si i tillë, mbërriti të hënën në kryeqytetin e vendit, Karakas, ndërsa zhvilloheshin demonstrata në mbështetje të tij. Guaido njoftoi për ardhjen e tij përmes Twitter-it.

Para kthimit nga një turne në vendet aleate të Amerikës Latine, Guaido, i pati bërë thirrje popullit venezuelian të mblidhej në qytetet e vendit, për të shprehur mbështetje për të.

Të dielën ai u takua në Ekuador me presidentin e vendit Lenin Moreno. Guaido kishte thënë se kur të mbërrinte në Karakas do ta arrestonin.

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton, tha të hënën se çdo kërcënim për sigurinë e zotit Guaido kur të kthehet në atdhe, ka për t’u ndeshur me “një përgjigje të fuqishme dhe domethënëse nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar.”

Juan Guaido përdori autoritetin e tij si Kryetar i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, duke ju drejtuar Kushtetutës për ta deklaruar të paligjshme udhëheqjen e Presidentit Nicolas Maduro, për shkak të manipulimit të zgjedhjeve.

Ai u vetëshpall President i Përkohshëm i vendit. Shtetet e Bashkuara dhe 50 vende të tjera e njohën Guaidon si President të vendit. Javën e kaluar ai u takua me Nënpresidentin amerikan Mike Pence dhe udhëheqës rajonalë në Bogota të Kolumbisë dhe më pas shkoi në Brazil dhe Paraguaji.

Shtetet e Bashkuara të premten i shtuan sanksionet ndaj Venezuelës, duke auluar vizat ndaj zyrtarëve të sigurisë dhe dhjetra zyrtarëve të tjerë të lartë.

Administrata Trump tha se sanksionet janë marrë si përgjigje ndaj bllokimit nga zyrtarët ushtarakë të hyrjes së ndihmave ushqimore në vend. Në kufi ushtria hapi zjarr ndaj kamionëve të ndihmave, duke vrarë disa njerëz.

 

Fraksion.com