Ligji për luftën kundër terrorizmit; Gjermanëve do u hiqet nënshtetësia
Gjermanëve do u hiqet në të ardhmen nënshtetësia, nëse kanë qenë në luftë për një organizatë terroriste. Kjo nuk vlen për ata që ndodhen tashmë jashtë vendit.
Në paktin e krijimit të koalicionit të madh në pranverë 2018, partia kristiansociale dhe partia socialdemokrate patën rënë dakord që të formulonin një ligj përkatës. Por ligji priti gjatë. Deri tani.
Gjermanë që luftojnë për IS
Mbas vitit 2014 mijëra gjermanë dhe sirianë shkuan në Irak për të luftuar për të ashtuquajturin Kalifat. Njerëz të radikalizuar, që refuzojnë të pranojnë rendin e Republikës Federale dhe luftojnë me armë për sharinë, duke vrarë njerëz. Shumë prej tyre janë vrarë, ose ndodhen me gra dhe fëmijë në kampet ose burgjet kurde ose irakiane. Fjala është për të paktën 70 vetë.
Ministri gjerman i Punëve të Brendshme, i partisë kristiansociale, CSU, dhe ministrja e drejtësisë Katarina Barley, e socialdemokratëve, kanë rënë dakord që luftëtarëve gjermanë të IS, t’ u merret pasaporta. Një projektligj përkatës duhet të zbatohet “së afërmi”, siç bëri të ditur një zëdhënëse e qeverisë. Ajo foli për “një sinjal të “ndikimit parandalues”.
Ligji për të ardhmen
Tre pikat kryesore që ka vendosur qeveria: Nënshtetësia gjermane humbet krejtësisht, nëse personi zotëron një nënshtetësi tjetër, është i moshës madhore dhe do të marrë pjesë në të ardhmen në luftime. Ligji nuk duhet të jetë për ata që tashmë kanë luftuar, që ndodhen atje të ngulitur dhe që kanë luftuar për IS. Atyre që ndodhen atje dhe kanë një pasaportë të dytë, nuk mund t’u merret pasaporta. Çfarë do të ndodhë me ata të cilëve iu merren të dyja pasaportat është e paqartë. Që tani, sipas ligjit, mund të hiqet nënshtetësia nëse i prekuri i është bashkangjitur forcave të huaja të armatosura, pa aprovimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo do të vlejë edhe në të ardhmen, nëse dikush merr pjesë në një milici terroriste jashtë vendit.
Vendimi për heqjen e pasaportës merret nga ministria e Brendshme e landeve përkatëse dhe jo nga gjykatat, siç e kërkoi partia socialdemokrate fillimisht.
Si do trajtohen të kthyerit?
Projektligji i qeverisë së koalicionit ka të bëjë me luftëtarët terroristë të së ardhmes, por nuk zgjidh problemin e trajtimit të terroristëve që kthehen nga territoret e luftimeve për në Gjermani. Mes tyre do ketë edhe persona që kanë dy pasaporta. Shteti juridik gjerman do të duhet t’ i pranojë ata dhe familjet e tyre në të ardhmen. Për policinë dhe drejtësinë kjo do të jetë një sfidë e madhe. Do të jetë e vështirë që atyre t’u dëshmohen krimet që kanë bërë në territoret e IS. Dhe kryesorja është që ata mbeten terroristë, dhe duhet të kontrollohen gjatë gjithë kohës. Nëse qeveria do të kishte vepruar më shpejt dhe do të kishte aprovuar ligjet, atëherë autoritetet gjermane do e kishin më të lehtë.