Spiropali: Ja arritjet e Samiti 4-ditor të Diasporës
“Samiti 4-ditor i Diasporës, i mbajtur javën e kaluar në Tiranë prodhoi disa rezultate historike, të cilat do të ngrenë në një nivel të ri nivelin e bashkëpunimit midis shtetit shqiptar dhe komuniteteve tona nëpër botë”. Kështu u shpreh sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, teksa bëri të njohura disa prej këtyre arritjeve, në një konferencë për shtyp të mbajtur pas mesditës sot në Tiranë.
Vota e emigrantëve – Në këtë Samit, u hodhën hapa konkretë përpara drejt realizimit të votës së emigrantëve në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe në respektimin e kësaj të drejte të garantuar nga ligji në Kosovë, por ende të pazbatuar në praktikë. Konkretisht, prej muajit korrik, në Parlament është dërguar një dokument i detajuar për mundësimin e kësja të drejte. Shpresohet që dokumenti të bëhet pjesë e reformës së ardhshme zgjedhore, pasi opozita të rikthehet në Parlament.
Remitancat – Në 30 vitet e fundit, Shqipëria ka përfituar rreth 30 miliardë dollarë remitanca, të cilat kanë shkuar kryesisht për të financuar konsumin familjar. Për herë të parë, tanimë ekziston një strategji për kanalizimin e këtyre remitancave në sektorët kyçë të ekonomisë, si turizmi, agroturizmi dhe prodhimi. Për këtë qëllim, është dakordësuar ngritja në Tiranë e një Dhome të Përbashkët të Biznesit të Diasporës, që do të përfaqësojë të gjithë bizneset shqiptare nëpër botë. Gjithashtu, së shpejti do të fillojë të funksionojë edhe Banka e Diasporës, që do të jetë një instrument i mirëfilltë, i mbështetur nga shteti, për përthithjen dhe kanalizimin e kapitalit të diasporës në ekonomi.
Pensionet dhe risitë e tjera – Me interes kyç për diasporën është njohja e pensioneve. Për këtë qëllim, për herë të parë, shteti shqiptar ka emëruar një Koordinator Kombëtar të Pensioneve, që do të ketë për detyrë të vetëm të çojë përpara negociatat me vendet e interesit. Në fokus të punës së këtij koordinatori do të jenë fillimisht vendet me popullsi më të lartë shqiptare, si Italia, Greqia, SHBA-të, Kanadaja dhe Anglia.
Një tjetër risi është emërimi i koordinatorit të kalendarit të përbashkët të eventeve që synojnë përmirësimin e imazhit të vendit tonë nëpër botë, duke nxitur turizmin, biznesin, e promovuar vlerat historike e kulturore të vendit tonë. Aktualisht janë 41 evente të konfirmuara përgjatë të gjithë vitit, nga SHBA-të deri në Japoni, por evente të tjera pritet të shtohen përgjatë vitit.
Një risi shumë e rëndësishme do të jetë edhe themelimi i një Muzeumi të ri në Tiranë, një muze i dedikuar eksluzivisht Diasporës. Deri në ngritjen e këtij muzeu, do të ekzistojë një pavion i dedikuar në Muzeun Kombëtar. Të tjera arritje të rëndësishme u regjistruan në fushën e arsimit, kulturës, filantropisë, etj.
Qeveria shqiptare shpenzoi rreth 67 mln lekë të reja për organizimin e samitit 4 ditor të Diasporës shqipare të cilat shkuan për ambiente me qira, skenografinë, paketa e aktiviteteve dhe materiale kancelarike, mbrëmja gala, regjia, transporti, brandimi i Bulevardit deri te “Zogu i Zi”.
Fraksion.com