Euro zbret nën 125 lekë; Mbaron efekti i transferimit të fitimeve
Euro i është rikthyer rënien në tregun e brendshëm pas një revanshi që ajo kishte marrë përgjatë muajit shkurt.
Në vetëm dy ditë, euro humbi pikët që i kishte marrë me “mundim” për mese dy javë.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 124.92 lekë, duke humbur një lek që nga e enjtja e javës së kaluar, kur arriti në 125.92 lekë, apo nivelin më i lartë që nga fillimi i muajit tetor.
Aktorët e tregut pohojnë se kjo rënie ishte e pritshme, pasi vlerësimi i euros erdhi nga faktorë të përkohshëm, që lidheshin me transferimin e fitimit të kompanive të mëdha, çka rriti kërkesën për euro në tregun e brendshëm.
Të dhëna të tjera të Bankës së Shqipërisë, në bilancin e pagesave, bëjnë të ditur se për 9 mujorin 2018, të ardhurat dalëse nga investimet, pjesa më e madhe e të cilit është transferim fitimesh ishin 296 milionë euro.
Tashmë tregu i është kthyer sërish normalitetit, ku oferta për euro mbetet e lartë dhe kërkesa për të relativisht e dobët, ndërsa në kahun tjetër qarkullimi i monedhës vendase është i ulët.
Banka e Shqipërisë ka parashikuar që tregu i këmbimeve valutore do të jetë më i qëndrueshëm këtë vit, ndryshe nga viti i kaluar kur euro e nisi vitin në kuotën e 134 lekëve dhe e mbylli afër 133 lekëve, duke shënuar rënien më të madhe vjetore në më shumë se një dekadë, i nxituar dhe nga faktorë të jashtëzakonshëm si konvertimi i kapitalit të bankave dhe i një kredie për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare të dhënë nga BERZH.
Sipas Bankës së Shqipërisë, euro ka zbritur në një ekuilibër të ri në nivelet aktuale, të rreth 124-126 lekëve.