Samiti i të suksesshmëve. Politikanë dhe artistë bëhen bashkë në Tiranë
Për të dytin vit radhazi, Samiti i Diasporës patjetër që solli një numër të madh të shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë, por edhe personalitete të cilat na mungonin dhe na kishte marrë malli.
“Filmi Eja është një rastësi shumë e këndshme në rrugëtimin tim artsitik, sepse profesioni im dhe pasioni im që në moshën 6-vjeçare ka qenë pianoja. Duke u perfeksionuar më shumë edhe në Zvicër, ku unë tashmë jetoj prej shumë vitesh”, tha Jetmira Lefort.
Ka një arsye pse ajo është në këtë samit të dytë të diasporës: “Unë muzikën dhe artin shqiptar e kam pasur pjesë të pandarë të karrierës sime dhe rrugëtimit tim koncertal”.
Nga ana tjetër, shqiptari nga Ulqini, shqiptari i zgjedhur në postin më të lartë politik në SHBA, Mark Gjonaj ka një mesazh për politikën shqiptare: “Çfarë ndodh në Shqipëri ka efekt tek ne shqiptarët kudo në botë. Ne kemi dëshirë që të stabilizohet puna në Shqipëri. Duhet të bëhet Shqipëria dhe Kosova së bashku. Të dalim në një vizion, në një qëndrim, në një zë, që të gjithë bashkë të bashkohemi. Ne e shohim kur punojnë së bashku shqiptarët çfarë realizojnë”.
Një mesazh i tillë vjen edhe nga arti: “Kisha pas dëshirë që edhe kasta poltike shqiptare të jetë e bashkuar, kështu siç është ky samit”.
Ndërsa për një arbërsh pasardhës të Kastriotëve vëmendja duhet kthyer në marrëdhëniet kah Shqipërisë. Loris Castriota Skanderbegh thotë: “Është bukur sepse gjithmonë ndihem në shtëpi kur jam më Shqipëri, Kosovë apo në të gjitha komunitet. Përpiqem të jap kontributin tim në marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë në veçanti, por edhe ndërmjet arbëreshëve dhe Shqipërisë”.
Samiti i Diasporës do të zgjasë deri më 2 mars, duke sjellë një numër të madh shqiptarësh nga fusha e biznesit, shkencës, artit dhe kulturës./TCH
Fraksion.com