AktualitetTë fundit

Gazetarja italiane mbush duart me hashash në Tepelenë

Televizioni më i madh italian “Rai” i ka kushtuar një reportazh kultivimit të drogës në Shqipëri, nisur nga situata politike e krijuar në vend, ku opozita proteston e ka lënë mandatet, duke akuzuar qeverinë se ka lidhje pikërisht me trafikantët e drogës.

Për të vërtetuar që në Shqipëri mund të gjesh me të vërtetë drogë, ka udhëtuar drejt Jugut të vendit gazetarja e “Rai News”, Laura Tangherlini.

REPORTAZHI

“Opozita vazhdon të mbushë rrugët me protesta në Shqipëri. Vazhdojnë akuzat për qeverinë e Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me trafikantët e drogës. Kryeministri nga ana tjetër pretendon se ka luftuar kultivimin dhe trafikun e drogës. Simbol i prodhimit të hashashit deri para pak vitesh në Shqipëri ishte Lazarati. Nga atje, ka nisur rrugëtimin e saj korrespondentja jonë Laura Tangherlini për të kërkuar gjurmët e drogës nëpër Shqipëri”. Nis kështu reportazhi i Rai-t në Shqipëri.

Laura Tangherlini ndodhet në zemër të Lazaratit, fshatin që e përshkruan kështu: “Lazarati është bastion i së djathtës. Deri pak vite më parë ishte baza e kultivimit dhe trafikimit të hashashit. Në 2014 policia ndërmori një aksion të madh për të zhdukur këtë bimë dhe gjërat ndryshuan. Nga e kaluara kanë mbetur muret e larta pas të cilave mbretëronin gjethet e hashashit. Ky është Lazarati dikur mbret i drogës sot është gati-gati një vend fantazëm”.

Nuk mungojnë as dëshmitë e banorëve, disa prej të cilëve pranojnë se e kanë kultivuar hashashin, por pa marrë ndonjë fitim të madh.

“Jeta këtu është përkeqësuar shumë. Më parë ishte e zhvilluar bujqësia, tani tokat kanë mbetur djerrë. Tani s’ka punë për asnjë. Fajin e kanë politikanët që thonë mos bëni atë që bëjmë ne. Ata thonë bëni çfarë ju themi ne”,- thotë njëri nga banorët.

“Unë kam tre fëmijë dhe nipër kemi vetëm pensionin tim për të jetuar. Më përpara punoja në fusha me bime medicianale”. E pyetur nëse këtu mbillej hashash ajo thotë: “Nuk është e vërtetë, ka ardhur policia dhe nuk ka gjetur gjë. Arrestimet ishin të padrejta”.

“Ne vërtetë jetonim më mirë, por bënë mirë që e hoqën hashashin. Megjithatë mënyra se si policia ndërhyri ishte shumë brutale. Ishte e vërtetë që kishte fitim por shkonte tek politikanët dhe tek të tjerët. Ne na mbeteshin vetëm thërrime”,- thotë një tjetër banor.

I pyetur nëse ka kultivuar edhe ai, qytetari e pranon por shton se: Po të kisha kultivuar shumë tani do isha e pasur. Shihni gjë ju këtu? Ku i kam?”

Gazetarja e Rai-t Laura Tangherlini vazhdon xhiron e saj nëpër fshat edhe gjen disa tunele që përdoreshin si magazina për drogën, të cilat tani kanë mbetur bosh. “Aty shohim vetëm pula”,- thotë ajo.

Tangherlini vijon: “E ndërsa shohim me vëmendje magazinat e braktisura takojmë pronarin e tyre. Ai na thotë se ky biznes vazhdon, mund t’i gjejmë shenjat diku në Tepelenë”.

Tangherlini merr rrugën drejt fshatrave të Tepelenës. “Shkojmë në Tepelenë, ka burra që na presin, na ftojnë për kafe. Ata thonë që aty nuk kultivohet drogë por nga ana tjetër shtojnë se nuk janë spiunë”
“Ka mbaruar droga këtu, kishte para dy vitesh”,- i thotë një banor i zonës.

Ku ta gjej tani?

Nuk e di, përgjigjet ai

“Ai na jep fjalën që ka ende magazina droge, shkon të flasë me një mikun e tij që të na e tregojë, por kthehet duarbosh. Ka ndryshuar mendje. Miku i tij nuk do të flasë, madje e ka kërcënuar të mbyllë gojën”.
Rrugëtimi i gazetares vazhdon në tre fshatra të tjera të Tepelenës, përgjigjet janë pothuajse të njëjta.

“Iku droga, deri në 2016 kishte. Ndërhyri shteti”,- i thotë një tjetër banor.

Kurse një tjetër tregon me gisht malin për të na thënë se pikërisht atje ishin plantacionet e drogës.

Ndërsa një tjetër na thotë se droga nuk është më këtu. Ka përfunduar në Bruksel.

E pavarësisht këtyre dëshmive, gazetarja italiane arrin të gjejë një furnitor që i sjell një qese me hashash. Ai tregon se droga ka qëndruar rreth një vit në shtëpinë e tij, pasi nuk ka pasur treg shitjeje. /Ballkanweb