AktualitetKosovaTë fundit

Ministri i Jashtëm Pacolli bën biznes, por jo politikë të jashtme

Qeveria e Republikës së Kosovës sërish ka bërë kërkesë për anëtarësim në Interpol, por njohësit e politikës kanë frikën se edhe kësaj radhe Kosova do të dështojë ashtu siç ka dështuar në herët e kaluara.

Sipas analistëve, qëndrimi i Behgjet Pacollit si ministër i Jashtëm edhe pas dështimit dhe aplikimit përsëri për anëtarësim, është një skandal.

Aq më tepër është dështim i sigurt, kur dihet se në krye të Ministrisë së Jashtme është Behgjet Pacolli, derisa edhe Ministrinë e Brendshme po ashtu e udhëheq partia e tij.

Analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot” thotë se politika e jashtme nuk udhëhiqet ashtu qysh kërkohet.

“Dështimet ishin haptas, edhe kur ishte fjala për UNESCO, e edhe për INTERPOL-in, por ka edhe raste të tjera, kur në vend se ndërtohet diç e re dhe shtetërore, dështon me fajin e kuadrove”, u shpreh ai.

“Partia e Pacollit është hendikep për ta bërë këtë punë. Kemi thënë, diplomacia e jashtme nuk është biznes. Por, sidoqoftë buxhetin e thithin si e thithë toka ujin”, potencoi Shkodra.

Analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot” thotë se është e dhimbshme për një qeveri të një shteti, i cili ka potencial të shumtë akademik, e mos të përfshihet kjo klasë e tillë dhe të mbetet aq e dobët sa mos të ketë asnjë aktivitet të suksesshëm dhe të përfaqësohet nga ministri i jashtëm pa kurrfarë përgatitje diplomatike së bashku me ekipin e tij.

“Që nga ardhja në krye të Ministrisë së Jashtme të Behgjet Pacollit, politika jonë e jashtme është dëmtuar keq, është për keqardhje se si përfaqësohet vendi ynë, si përcillen qëndrimet zyrtare shtetërore dhe si komunikohet me aktorë shtetërorë të vendeve të tjera. Po përmend vetëm telegrafikisht shkarjet e dëmshme, që ministri Pacolli i ka bërë. Që nga ardhja në krye të Ministrisë së Jashtme, ministri Pacolli ka dështuar plotësisht në procesin e lobimit për njohje.

Ai boton fotografi me zyrtarë shtetesh, që nuk na kanë njohur shtetin e Republikës së Kosovës dhe deklaron se pas këtyre takimeve nuk ka rezultate, ngase këto janë mashtrime dhe kjo tregon qartë se si ky zotëri mashtron dhe shpenzon buxhetin e shtetit, sepse këtij i mungojnë shumë elemente që duhet t’i ketë një politikan shtetëror ku së pari ka një problem serioz, gjuha e tij, sjellja e tij dhe mënyra si flet, si argumenton dhe si i kontakton, ngase i njëjti nuk ka qëndrim politik e as diplomaci që t’i bindë bashkëbiseduesit se fjala është për një ministër serioz i punëve të jashtme të një shteti, ku të gjitha këto reflektojnë deri tek marrëdhëniet bilaterale të një shteti”, theksoi Hertica.

Filozofi Ridvan Emini, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kërkesa për anëtarësim në Interpol nga ana e Kosovës është legjitime, pavarësisht se a ka dështuar në të kaluarën për anëtarësim në këtë organizatë.

“Në vitin 2018, në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit, të organizuar në Dubai, Kosova, pavarësisht numrit të madh të delegacionit të saj që kishte, nuk loboi, apo thënë troç lobimi i saj dështoi që të arrijë 2/3 e anëtarëve pjesëmarrës”.

Kjo ishte dëshpëruese, pasi që ishte hera e dytë e aplikimit në këtë organizatë. Nëse e shohim nga aspekti profesional, Kosova i plotëson të gjitha kushtet për anëtarësim në këtë organizatë. Mendoj se nuk është momentumi i duhur për anëtarësim në Interpol, kur dihet që së fundi Kosova nuk është e harmonizuar me Uashingtonin, sidomos pas taksës 100 për qind të vendosur ndaj Serbisë, andaj konsideroj se kjo është një e metë në këtë rrugëtim, që shumë lehtë mund të jetë dështim i radhës. Është e rrugës që të mos hyhet në disa tema, të cilat mund ta paraqesin Kosovën të dështuar. Pra, konsideroj se duhet shqyrtuar edhe tërheqja e kërkesës për anëtarësim në Interpol dhe të bëhet vetëm atëherë kur kemi një akordim të plotë me partnerët tanë strategjikë, sepse vetëm me ta mund të jemi pjesë e Interpolit, të vetëm asnjëherë”, propozoi Emini.

Ndërsa analisti Ragip Guraziu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Interpol është dështimi i sigurt, kur dihet se në krye të Ministrisë së Jashtme është Behgjet Pacolli dhe Ministrinë e Brendshme po ashtu e udhëheq partia e tij.

“Prandaj e them lirshëm se Kosova në anëtarësim në Interpol nuk ka shanse derisa  Ivica Daçiq është aktiv në këtë punë dhe i ka zënë në gjumë këta banditët tanë kur dihet se në krye të Ministrisë së Jashtme është Behgjet Pacolli.”

“Prandaj edhe kësaj radhe na pret dështimi qind për qind, kërkesa për anëtarësim në Interpol mund të bëhen, por nuk ka për t’u realizuar assesi, ngase edhe shtetet që na kanë njohur po i tërheqin njohjet falë ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiqit, që i ka zënë në gjumë këta banditët tanë”, u shpreh ai.

“Edhe tani Kosova do të dështojë, jo vetëm si herën e kaluar, por ka për të dështuar derisa e kemi një politikë banditësh duke udhëhequr shtetin e Kosovës, që po rrezikohemi edhe në ndarjen e territoreve. Paria politike e Kosovës, politikanët e saj, janë të pamoralshëm, më shumë të dhënë pas prostitucionit, apo më mirë thënë se janë ”dilenxhinj”, siç thotë populli, dhe kjo është arsyeja pse është një skandal qëndrimi i Behgjet Pacollit si ministër i Jashtëm, edhe pas dështimit dhe aplikimit përsëri për anëtarësim”, potencoi Guraziu.

Ndërsa analisti Arsim Haziri thotë se Ministria e Jashtme nuk mund të tregojë rezultate e performancë të mirëfilltë kur në krye të saj është një person që përpos se është i papërgatitur profesionalisht, njëherësh është edhe i pandërgjegjshëm institucionalisht.

“Kjo ministri, siç dihet, ka pothuajse buxhetin më të madh se ministritë e tjera, pra nëse nuk punon intensivisht në funksion të shtetit efekti i saj negativ është i madh, madje arrin të shpërfaqë imazh të dobët në arenën ndërkombëtare. Kjo logjikë, përderisa është akoma valide, vështirë është të prodhojë rezultate pozitive në këtë vit”, shpjegon ai.

Qytetarët nuk i besojnë ministrit të Jashtëm

Qytetarët e anketuar, krahas analistëve politikë, thonë se janë të zhgënjyer me performancën e dobët që ka treguar Behgjet Pacollit si ministër i Punëve të Jashtme.

Qytetari nga Prishtina, Muhamet Gërguri, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aplikimi i Kosovës për të qenë pjesë e Interpolit ka qenë i drejtë dhe për ta arritur qëllimin duhet që të lobohet shumë më tepër sesa herën e kaluar që e ka bërë Behgjet Pacolli, por shpresojmë se kësaj radhe nuk do të na zhgënjejë.

“Në të kundërtën nëse sërish do të dështojmë që të jemi në Interpol, atëherë vlerësoj se Pacolli duhet që të largohet menjëherë nga ky post”, u shpreh ai.

Ndërsa, qytetari nga Prishtina, Sabit Xhaferi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se aplikimi i Kosovës që të bëhet pjesë e Interpolit është i drejtë, por duhet që të jemi realë se Kosova nuk është e përgatitur për këtë betejë. “Por mua më së shumti më ka zhgënjyer performaca shumë e dobët e Behgjet Pacollit si ministër i Punëve të Jashtme, ngase ka qenë një biznesmen i suksesshëm dhe kemi shpresuar se do të bëjë diç në atë drejtim.

Por koha po tregon se emërimi i tij në atë post ka qenë një dështim total për Kosovën. Prandaj e them me përgjegjësi se me Behgjet Pacollin në krye të kësaj ministrie e kemi shumë vështirë që të bëhemi anëtarë të Interpolit, por vetëm nëse na ndihmojnë miqtë tanë”, theksoi Xhaferri./Kosova Sot

 

Fraksion.com