Delegacioni i PE: Duam që Shqipëria të hapë zyrtarisht negociatat; Organizatorët e protestave do mbajnë përgjegjësi për çdo akt dhune
Në përfundim të takimeve dyditore në Tiranë, delegacioni i Parlamentit Europian, që erdhi me qëllim kryesor diskutimet për zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri mes Qeverisë dhe opozitës, mbajti paraditen e kësaj të enjteje një konferencë për mediet, në qendër të së cilës ishte mesazhi për bashkëpunim përpara vendimit për çeljen e negociatave.
“Duam që Shqipëria të hapë zyrtarisht negociatat për anëtarësim në qershor, e për këtë duam të mos shkaktohen vonesa të tjera për shkak të mosmarrëveshjeve kombëtare. Shqipëria ka bërë progres domethënës në shumë fusha, ka bërë hapa të mëdhenj përpara në Reformën në Drejtësi. Duhen kaluar ndasitë partiake për çështjen e integrimit dhe bojkotimi i Parlamentit në vetvete përbën një sinjal shumë të keq. Nuk mund të gjesh pretendim për të vonuar hapjen e negociatave. Gjithashtu jemi kundër protestave të dhunshme, nuk është mënyrë demokratike për zgjidhjen e problemeve. Shqipëria ka nevojë për shumë herë më tepër hapësirë për shoqërinë civile, e cila duhet të ketë më shumë qasje në institucione. Ndërkohë, zëri i të rinjve duhet dëgjuar nga qeveria për Reformën në Arsimin e Lartë”, tha Tunne Kelam.
Fleckenstein nuk ndryshoi aspak qëndrim të ashpër në lidhje me opozitën, siç mbajti edhe gjatë takimit të mëhershëm të kësaj të majte me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi.
“Më 19 qershor Këshilli do të marrë vendimin për Shqipërinë, teksa procesi i reformave është duke vazhduar dhe vettingu po ashtu. Ne i bëjmë thirrje Këshillit të përqëndrohet në këto fakte, që në qershor të çelen negociatat. Sa i përket problemeve tuaja të brendshme, ne nuk kemi dyshim që ky Parlament do të vazhdojë rrugëtimin e tij. Parlamenti do të vazhdojë rrugëtimin, ndoshta edhe me anëtarë të rinj. Jam zhgënjyer shumë veçanërisht nga kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila na tha që opozita e ka marrë vendimin dhe nuk ka kthim pas. Presim që deputetët të bëjnë punën e tyre dhe të kthehen në Parlament. Edhe sikur opozita të ketë të drejtë për akuzat, bojkotimi nuk zgjidh asgjë”, tha Fleckenstein.
Eurodeputeti gjerman rimori fjalën në këtë konferencë edhe për një ndërhyrje të shkurtër.
“Doja të thoja edhe se organizatorët e protestave duhet të kujdesen të mos jenë të dhunshme, të mbajnë përgjegjësi për çdo akt që del përtej kontrollit të tyre. Nëse gjatë të gjithë kësaj kohe do të shohim pamje dhune nga rrugët e Tiranës, do të ketë pasoja në vendimin për negociatat”, tha ai.
Fraksion.com