AktualitetBota+Të fundit

Bjellorusi, zbulohet varr masiv i epokës naziste

Në Brest të Bjellorusisë është zbuluar një varr i përbashkët që nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Ushtria që po merret me zhvarrimet thotë se deri tani janë nxjerrë 730 trupa, ndërsa autoritetet janë ende të pasigurt se sa është numri i përgjithshëm. Zbulimi është kryer në vendin ku gjatë pushtimit nazist ka pasur një geto hebraike.

Ushtria në Bjellorusi ka zbuluar eshtrat e qindra njerëzve të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore në një varr të përbashkët. Zbulimi është kryer në vendin ku gjatë pushtimit nazist ka pasur një geto hebraike.

Varri masiv u zbulua rastësisht muajin e kaluar kur po hidheshin themelet e një qendre rezidenciale në Brest, qytet pranë kufirit polak. Midis eshtrave janë gjetur edhe këpucë lëkure të pa dekompozuara.

Dmitry Kaminsky, një ushtarak që udhëheq gërmimet, konfirmoi zhvarrosjen e 730 trupave, ndërsa autoritetet janë ende të pasigurt se sa është numri i përgjithshëm. Disa prej kafkave kanë të dukshme vrimat e plumbave, që sipas ushtarakut është shenjë e ekzekutimit me një plumb pas koke.

Bjellorusia, një ish-republikë sovjetike, u pushtua nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore ku u vranë dhe dhjetëra e mijëra hebrenj. Vendi ku u zbulua varri i përbashkët shërbeu nga dhjetori i vitit 1941 deri në tetor 1942 si geto, zona të krijuara nga nazistët për të ndarë hebrenjtë nga banorët e tjerë të qytetit. Përpara luftës Brest ishte pjesë e Polonisë.

Autoritetet lokale synojnë t’i varrosin trupat me një ceremoni në një prej varrezave në veri të qytetit.

 

Fraksion.com