Balla në Belsh: Mandati i 25 Qershorit ishte referendum për drejtësinë e re
Kryetari i grupit Parlamentarë të PS-së Taulant Balla ka zhvilluar sot një takim me Asamblenë e Zgjeruar Socialiste të Bashkisë Belsh, i cili theksoi se mandati i 25 Qershorit ishte referendum për Drejtësinë e re.
Në takim merrnin pjesë Ministrin i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, deputetët Musa Ulqini e Anastas Angjeli.
Balla tha se Belshi është një prej modeleve më të mira të qeverisjes sonë vendore.
“Në katër vitet e ardhshme ne do të vazhdojmë transformimin rrënjësor të zonës së Dumresë. Po ashtu në reformat e rëndësishme të ndërmarra nga Partia Socialiste, dhe sidomos Reforma në Drejtësi, do të vijojnë pavarësisht përpjekjeve të opozitës për t’i penguar. Ne të gjithë e dimë se cili është Sali Berisha. Ne e dimë se çfarë metodash përdor dhe gjithçka ndodhi më 16 Shkurt, gjithçka patë parmbrëmë në ekranet e TV, në hyrjen e Kuvendit të Shqipërisë, janë skenar i përsëritur i një simbioze kriminale të Sali Berishës sa herë që i cënohen interesat e tij apo të familjes së ngushtë politike”, tha ai.
Më tej, Balla shtoi se “unë jam krenar ta them që sot, partia Socialiste e Shqipërisë është e konsoliduar në të njëjtin krah dhe sinkron me SHBA dhe BE, e siç e keni ndjekur vetë-vrasjen politike të PD dhe LSI, nuk e ka mbështetur askush dhe nuk ka për ta mbështetur askush”.
Duke folur për qëndrimin e opozitës së fundmi për djegien e mandateve Balla tha se “ata vetë vendosën të dalin nga sistemi demokratik ndërsa ne kemi detyrën t’i qëndrojmë strikt dhe besnik mandatit që na është besuar në 25 Qershor. Mandati i 25 Qershorit ishte referendum. Për Drejtësinë e re”.
“Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi janë personat përgjegjës për një dëmtim të rëndë të imazhit të Shqipërisë me dhunën e 16 Shkurtit dhe në vijim. Ato pamje që rikthyen në mendjet e shqiptarëve ngjarjet e rënda të 1997-1998 dëmtojnë në radhë të parë ekonominë e shqiptarëve, dëmtojnë vendet e punës, dëmtojnë mirëqenien e popullit tonë. Ne jemi të vendosur të vijojmë punën e nisur”, shtoi ai.