AktualitetTë fundit

Rama: “Danish Green Garden” model shprese dhe perspektive

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot “Danish Green Garden”, apo Kopshti i Gjelbër i Danimarkës, i cili prej më shumë se 20 vitesh operon në Kopenhagen dhe që nga viti 2009 është vendosur edhe në Shqipëri, fillimisht në Fier dhe tashmë edhe në Krutje, Lushnjë, falë mbështetjes nga skema kombëtare e mbështetjes, nga e cila ka përfituar një grant prej 12 milionë lekë.

Prodhimet bujqësore shqiptare vazhdojnë të kërkohen gjithnjë e më shumë nga tregu europian dhe vlerësohen për cilësinë e vlerat organike.

Sipërmarrësi Muhamet Isen, së bashku me bashkëshorten, Denadën, administratore e fermës, vendosën ta sjellin në Shqipëri aktivitetin e tyre.

“Ky është vetëm fillimi. Ne kemi dhe 7 ha të tjera në Fier me qira që mendojmë që në të ardhmen t’i bëjmë edhe këtu ku jemi. Do zgjerohemi, mendojmë që këtu të ndërtojmë rreth 10 ha sera. Janë prodhime të veçanta që në përgjithësi shkojnë për restorantet në Danimarkë. Në Danimarkë kemi rreth 20 ha. Ne kemi një fermë atje dhe shfrytëzojmë sezonin. Gjatë verës i prodhojmë atje, të gjithë prodhimin me aq sa kemi mundësi, se ende nuk arrijmë t’i plotësojmë nevojat tona. Ne eksportojmë 2-3 trajlerë në javë. Për momentin rreth 50% marrim nga Shqipëria, 50% i importojmë gjatë dimrit nga Italia dhe nga Spanja. Po mendojmë që në të ardhmen t’i prodhojmë të gjitha në Shqipëri,” shprehet Denada, ndërsa nënvizon se nga zgjerimi i aktivitetit më këtë serë të re në Lushnje ka shtuar edhe numrin e punonjësve në 50.

Kryeministri Rama deklaroi se qeveria do vijojë të mbështesë rritjen e këtij biznesi, të cilin e konsideroi një model suksesi edhe sa i përket cilësisë dhe garancisë së produkteve shqiptare që arrijë të depërtojnë deri në tregjet me standardet më të larta për sigurinë ushqimore.

“Do ju mbështesim me të gjitha mënyrat. Ky është një model i jashtëzakonshëm. Është model shprese. Është model perspektive. Është model suksesi. Është për t’ju treguar të tjerëve që, kur shkon deri në Danimarkë, ku janë standardet më ekstreme të garancive të sigurisë ushqimore, llogarite sa shumë mund të bëhet me këto produkte,” u shpreh Kryeministri Rama.

“Danish Green Garden” furnizon restorantet më të njohura të Danimarkës madje edhe restorantin e mirënjohur organik “Noma” në Kopenhagen, administruar nga mjeshtri i kuzhinës, Rene Rexhepi. Në serat e bashkëshortëve Issen kultivohen varietete të ndryshme të sallatave, karotave, rrepave, si dhe rreth 20 lloje erëzash të freskëta, për të cilat “Danish Green Garden” është një nga 3 prodhuesit e vetëm në Danimarkë.

“Gjatë vitit 2018 kemi mbështetur 244 fermerë në ndërtimin, apo modernizimin e serave, që janë rreth 17 ha të reja sera. Kemi në programin IPARD, 33 aplikime që shkojnë në një vlerë monetare prej 5.8 milionë euro, që do të thotë edhe 33 sera të reja. Jemi duke shtuar kapacitetet prodhuese për perime, në mënyrë që Shqipëria të jetë kompetitive në rajon,” shprehet drejtuesja e AZHBR-së, Frida Krifca.

Mbi 4 mijë fermerë kanë përfituar deri më tani nga skema kombëtare e mbështetjes financiare përmes financimeve direkte, apo investimeve të ndryshme.

 

 

Fraksion.com