Masa të rrepta sigurie në derbi. 100 roje private në Tirana-Partizani
Këtë fundjavë do të luhet ndeshja më e rëndësishme e futbollit shqiptar, derbi kryeqytetas Tirana-Partizani. Pavarësisht gjendjes së ndryshme që vijnë të dyja skuadrat interesi mbetet maksimal për këtë takim si nga aspekti i garës sportive ashtu edhe të tifozerisë.
Ky numër prej 100 rojesh private është rekord për futbollin shqiptar. Ditën e mërkurë ka patur një takim me organizatorët e ndeshjes, dhe përfaqësues të të gjithë aktorëve pjesëmarrës.
“Tifozeria e Partizanit ka marrë përsipër të ketë edhe organizim ekstra për të ruajtur mbajtur nën kontroll tifo-grupin e saj. Nga tifozët e Tiranës nuk ka asnjë njoftim si do te organizohen”, thotë Naim Dani, përfaqësues i kompanisë së rojeve private.
Ndërkohë që kërkohet nga tifozët të jenë të pranishëm rreth një orë e gjysmë përpara fillimit të ndeshjes, kompania që do të sigurojë mbarëvajtjen e takimit bën me dije edhe sendet që nuk do të lejohen të futen në stadium.
“Nuk do të lejohen flakadane, tymues, kapsolla, cadra, flamuj me bisht, bidona uji me tapë”, shprehet Naim Dani, përfaqësues i kompanisë së rojeve private.