Majko nxit dialogun Rama-Basha: Por në fund dikush do humbasë!
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, bëri thirrje në studion e emisionit “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja se “Edi Rama dhe Lulzim Basha duhet të ulen jo për të bërë pazar, por për të nxjerrë Shqipërinë nga një qerthull”.
“Në fund fare dikush do të humbasë, por ndonjëherë në politikë humb duke fituar dhe fiton duke humbur”, deklaroi Majko.
Duke iu referuar aktualitetit politik, Majko theksoi se precedenti që po vendos opozita është i rrezikshëm: “Çfarë precedenti po hap Shqipëria? Nëse kemi këtë precedent që opozita nuk hyn në zgjedhje për X kryeministër, kthehet në model pastaj. Opozita duhet të pyesë veten se çfarë ndodh pas kësaj. Ja e morën pushtetin. Pas 6 muajsh dorëzojmë ne mandatet dhe themi nuk e duam këtë kryeministër. Mendoj se jemi klasë politike që po mbyll ciklin e vet dhe është e sigurtë që në zgjedhjet që vijnë dikush do të lërë jo vetëm karrigen e politikës. Prandaj është ky polarizim në këtë moment”.
Kur u pyet nëse ka premisa për konflikt social, Majko deklaroi se “këtë e ndajnë njerëzit”, por, sipas tij, “konflikti civil kërkon më shumë sesa 10 mijë njerëz”.
“Në fund të fundit të gjithë kemi fëmijë e mbesa dhe ky është vend ku do të jetojmë të dyja palët. Duhen menduar punët me gjakftohtësi”, deklaroi Majko.
Pyetjes nëse kryeministri Rama i dëgjon socialistët gjatë diskutimeve brenda partisë, Majko iu përgjigj kështu: “Si mendoni ju, se na ul në rresht dhe ne të gjithë i themi “Po, shef”, “Si urdhëron, shef”? Duhet ta ndryshoni këtë perceptim. Me Edi Ramën bën sherr dhe ndodh që pas një jave të thotë që ke të drejtë”./TCH
Fraksio.com