AktualitetPolitikëTë fundit

Komunitetet fetare në Shqipëri: Konfliktet politike po largojnë shqiptarët nga vendi

Në një deklaratë të përbashkët, komuniteti ndërfetar në vendin tonë, bën apel për më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim mes palëve.

Komuniteti fetar i bën thirrje politikës të heqë dorë nga dhuna dhe nga përçmimi i kundërshtarëve politike, të gjenet zgjidhja e krizës, pasi vetëm kështu do të ndalet ndikimi negativ në shoqëri, q ëpo përcjell situata politike në Shqipëri.

Opozita shqiptare dje mbajti një protestë, e disata në valën e tubimeve që janë paralajmëruar kundër qeverisë, ku pati tensione dhe përplasje me deputetë të mazhorancës dhe me forcat e policisë të cilët u sulmuan nga protestuesit.

Deklaratë për shtyp e Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë, Kryegjyshata Botërore Bektashiane dhe Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë), po ndjekin me shqetësim situatën politike në vendin tonë, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në aspektin social, ekonomik dhe në të ardhmen e rinisë sonë, duke krijuar një gjendje të pasigurtë dhe duke cenuar shpresën e një populli të vuajtur, por vital e të fortë përballë sprovave me të cilat është përballur historikisht.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë i bën thirrje politikës shqiptare për dialog dhe vetëpërmbajtje, si dhe për zgjidhje të konfliktualitetit të tejzgjatur, i cili po thellon dhe më shume varfërinë e shqiptareve, ikjen e tyre, dobësimin e institucioneve demokratike në vendin tonë, si dhe po dëmton rëndë imazhin e Shqipërisë përpara botës.

Ne të gjithë së bashku, duhet të këmbëngulim fort te virtyti i shpresës, që po plagoset dita ditës, duke i bërë thirrje të gjithë faktorit politik të lërë mënjanë dhunën verbale apo fizike, përçmimin e kundërshtarit politik, e të gjejnë medoemos zgjidhje në dobi të të gjithë shoqërisë shqiptare, të atyre nënave dhe baballarëve fisnikë, që ushqyen brezat me dashurinë e shenjtë për këtë tokë, e sidomos të rinisë sonë, e cila meriton një vend me një të ardhme shpresëplotë.
Lusim Zotin për më shumë dashuri, mirëkuptim e bashkëpunim.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin tonë.

Me respekt,
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë

Tiranë, 27 shkurt 2019

 

Fraksion.com