Gjenerali O’Shaughnessy: Nuk ka rrezik në kufirin jugor të SHBA
I pyetur nga senatorët lidhur me rrezikun që i vjen vendit nga kufiri jugor me Meksikën gjenerali i forcave ajrore amerikane Terrence O’Shaughnessy, Shef i Komandës Veriore dhe i Hapësirës së Mbrojtjes Ajrore, tha se nuk sheh të vijë ndonjë rrezik nga kufiri jugor i vendit me Meksikën, por se në punën e tij ai fokusohet tek kërcënimet “reale” nga Kina dhe Rusia në veri të vendit.
Gjenerali O’Shaughnessy tha se është i mendimit se përparimet e Rusisë në kapacitetin mbrojtës dhe synimi i Moskës për të kërcënuar Amerikën, përbëjnë një kërcënim urgjent për Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump ka deklaruar situatën e emergjencës në kufirin jugor të vendit, me qëllimin për të financuar murin kufitar të propozuar prej tij dhe ai ka në plan të përdorë fondet e Departamentit të Mbrojtjes për ndërtime ushtarake dhe për programet anti-drogë për financimin e murit. Por anëtarët e Kongresit ejanë kundër ndërtimit të murit me fondet e Pentagonit.
Senatorët demokratë dhe Komisioni i Forcave të Armatosura të Senatit e bombarduan me pyetje gjeneralin O’Shaughnessy, lidhur me nevojën e transferimit të fondeve nga projektet ekzistuese dhe vunë në pikëpyetje vlerën e deklarimit të emergjencës kombëtare. Senatorët e pyetën gjeneralin O’Shaughnessy, në se Kongresi duhet ta lejojë Presidentin Trump të përdorë fondet e Pentagonit për një emergjencë që nuk ka lidhje me mbrojtjen.
Seanca u zhvillua ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan pritet të miratojë një projektligj të martën për të revokuar shpalljen nga Presidenti Donald Trump të një emergjence kombëtare në kufirin jugor të vendit.
Demokratët e paraqitën projektligjin pas shpalljes së gjendjes së emergjencës nga presidenti Trump më 15 shkurt, duke argumentuar se veprimet e tij janë kundër ndarjes kushtetuese të kompetencave që i japin Kongresit kontroll mbi mënyrën se si shpenzohen fondet federale.
“Kushtetuta përcakton përgjegjësitë e secilës degë, duke i dhënë Kongresit, mes shumë fuqive të tjera, edhe fuqinë e miratimit të shpenzimeve. Pushteti i presidentit rrëmben këtë përgjegjësi kushtetuese dhe shkel rrënjësisht ekuilibrin e pushtetit të parashikuar nga ana e themeluesve të kombit”, thotë Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Kontrolli i Dhomës së Përfaqësuesve nga demokratët nënkupton që projektligji do të miratohet.
Disa republikanë në Senat kanë lënë të kuptohet se do ta mbështesin gjithashtu projektligjin, por mbetet për t’u parë nëse do të arrihen votat e mjaftueshme për ta dërguar atë në tryezën e presidentit Trump.
Presidenti Trump ka argumentuar qysh nga fushata e tij për president se Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një mur përgjatë kufirit me Meksikën, për të ndaluar njerëzit që hyjnë ilegalisht në vend dhe për të frenuar kalimin e drogës.
Shpallja e emergjencës e lejon Presidentin të sigurojë rreth 6 miliardë dollarë fonde të miratuara për qëllime të tjera, shumica nga Departamenti i Mbrojtjes.
Të hënën, një grup prej 58 ish zyrtarëve të sigurisë kombëtare, republikanë dhe demokratë, nxorrën një deklaratë ku thuhej se presidenti Trump nuk ka “asnjë bazë faktike” për të shpallur një emergjencë kombëtare për ndërtimin e një muri përgjatë kufirit me Meksikën.
Fraksion.com