Djegia e mandateve: KQZ publikon listën me kandidatët e radhës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur njoftimin me postë të 57 kandidatëve nga listat e PD dhe LSI, për t’u komunikuar atyre kalimin e mandatit të deputetit, pas dorëheqjes së anëtarëve të opozitës që ishin pjesë e Parlamentit dhe krijimit të vakancave.
Në qarkun e Beratit bëhet fjalë për dy kandidatë nga LSI dhe një nga PD. Në Korcë një kandidat nga LSI dhe 4 nga PD. Në Vlorë një nga LSI dhe tre nga PD. Në Gjirokastër një nga LSI dhe një nga PD. Në Ebasan janë dy kandidatë nga LSI dhe tre nga PD. Në Fier një nga LSI dhe 3 nga PD. Në Dibër një LSI dhe 2 PD. Në Durrës një LSI dhe 4 PD. E njëjta gjë edhe për qarkun e Shkodrës gjithashtu me raportet 1 me 4. Në Lezhë janë kontaktuar një kandidat nga LSI dhe 3 nga PD. Tirana ka 5 kandidatë nga LSI dhe 10 nga PD. Ndërsa Kukësi ka vetëm dy kandidatë nga PD.
Top Channel kontaktoi me pjesën më të madhe të këtyre kandidatëve që pohuan se nuk do ta pranojnë mandatin. Një pjesë tjetër e kandidatëve ishte e pamundur të kontaktoheshin ndërsa disa nuk pranuan të shpreheshin mbi qëndrimin që do të mbajnë, duke lënë të nënkuptohet se mund të mos ndjekin vendimin e partive përkatëse.
Ata që kanë ndërmend ta pranojnë mandatin e kaluar nga KQZ, kanë kohë 10 ditë nga njoftimi me postë, për të dorëzuar pranë këtij institucioni formularin e plotësuar të dekriminalizimit.